PD akuzon Bashkinë e Tiranës: Shpalli fitues tenderi kompaninë nën sekuestro

TIRANË, 22 Korrik/ATSH/- Partia Demokratike ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka shpallur fitues të një tenderi kompaninë nën sekuestro.

Ina Zhupa, zëdhënëse e PD-së deklaron se, “tenderi 100 milionësh për veshjet e policëve bashkiakë është një rast flagrant, ku korrupsioni dhe shkelja skandaloze e disa ligjeve bëhet aq hapur, sa çdo qytetar i zakonshëm mund ta kuptojë. Në dokumentet zyrtarë thuhet se kompania fituese “Vojsava Zenelaj” është me statusin “nën mbledhje me forcë”, çka tregon se kompania nuk ka paguar tatimet dhe duhet të ishte skualifikuar menjëherë!”, tha Zhupa, e cila nuk kurseu as prokurorinë.

“Nëse në vend do të funksiononte një Prokurori e pavarur dhe jo nën kontrollin politik të qeverisë, Erion Veliaj, i cili ka dhënë urdhrin korruptiv, dhe ata që e kanë zbatuar, sot duhet të ishin në burg për tenderin hajdut të 100 milionë lekëve”, – vijoi Zhupa.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.