ZDF: Në ateljenë, kantier pune të kryeministrit Rama që lipset të ketë më shumë në botë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155975254941523/

TIRANE, 21 korrik/ATSH/- “Komuniteti i madh, i fuqishëm Europian,  anëtar i të  cilit Shqipëria akoma nuk  është bërë, mund të përfitoje nga përvojat  e Shqipërisë, thuhet ndër të tjera në emisionin Kultur/aspekte i televizionit publik gjerman, ZDF.

Kur në RDGj ishte akoma muri rrethues dhe Stasi vazhdonte të kryente akte çnjerëzore, Shqipëria ishte një hap me prapa dhe disa  e  quanin edhe si Korea e Veriut në Bllokun Lindor. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po përpiqet të bëhet edhe anëtare e BE. Hapja dhe njohja në botë e këtij vendi  janë para së gjithash edhe falë kontributit të kryeministrit të tij, Edi Rama”, theksohet në këtë emision i cili ka realizuar edhe një intervistë të veçantë me kryeministrin Rama në studion e tij.

Dhe siç e thotë edhe moderatori, “për një emision kulturor, Rama është një figurë veçanërisht interesante, mbasi ai është njëkohësisht kryeministër i dashur nga njerëzit dhe  artist i afirmuar. Në Bruksel apo në biennale, kudo ai  bashkon  artin me  pushtetin”. 

Duke përshkruar vendin e tij të punës, ndër të tjera në emision citohet se “zemra i rreh për futbollin. Dikur ka luajtur me  ekipin kombëtar të basketbollit të vendit të tij. Ai është një artist me  shumë kolorit dhe i përshëndetur nga Bienalja e Venecias, njëkohësisht është njeriu më i  pushtetshëm i Shqipërisë, kryeministri i vendit”.

Arti është një lloji falje, ndërsa  jashtë luftohet. Po, politikë do të thotë të luftosh, ndërsa të pikturuarit është si të falësh”, shprehet Rama për televizionin publik gjerman, i cili përshkruan se “kur Edi Rama bën politikë, egoja e  tij  e vjetër si artist nuk mbetet larg. Bile edhe mbajtja e shënimeve në kalendarin e tij është ngritur në një artefakt, duke i protokolluar si një paketë ndërkombëtare në mënyrën e tij.  Edhe kujtimet nga takime rastësore të trishta ai i ka  vizatuar. E ka quajtur këtë  si një lloj vet-terapi. Në kursin e biznesit të artit Rama qëndron lart”.

Rama shprehet se “arti më ndoqi pas edhe në këtë tryezë pune. Arti më shoqëron kudo dhe për mua ai është edhe fat, edhe miqësi në mes të zhurmës së politikës”.

Në emision evidentohet edhe takimi i përjavshëm i kryeministrit me koordinatorët e bashkëqeverisjes: “Një herë në javë kryeministri zhvillon takim me qytetarët, edhe pse nuk heq dorë nga atletet e sportit edhe në zyrë. Qytetarë, viktima të burokracisë, të policisë apo të korrupsionit, këtu dëgjohen prej tij. Çdo rast  ndiqet dhe për këtë ata e nderojnë shumë. Dihet se një artist  jeton nga publiku i tij”.

Rama shprehet se “lufta kundër korrupsionit do të thotë modernizim i shoqërisë. Kjo kërkon kohën e vet. U jep njerëzve instrumentin e duhur në dorë që zëri i tyre të dëgjohet. Këtë nuk e bëjmë për ti bërë qejfin Brukselit, Gjermanisë, Francës apo edhe BE-së. Këtë e bëjmë për qytetarët dhe për fëmijët tanë”.

Më tej, Rama vë në dukje se “Europa  sot po dominohet  nga gjenerata e parë, e cila nuk e ka përjetuar luftën. Ne qytetarët e Ballkanit mund të dukemi paksa naiv, por ne e kemi parë luftën, jo në televizor, por shumë pranë, e kemi përjetuar atë. Kemi pasur  gjysëm milionë refugjatë lufte nga Kosova, prandaj dhe nuk  duam të bëhemi pjesë e një plani, i cili i  trajton refugjatët si qënie të infektuara”

Një mesazh tjetër për Europën, një nga mendimet e shumta që marrin krah nga Edi Rama, të cilin e pret takimi tjetër. Dhoma si kjo: atelje, qendër pushteti dhe  njëkohësisht kantier pune për utopitë shoqërore, lipset të ketë më shumë në botë”, përfundon emisioni i televizionit publik gjerman./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.