Votimi për Magjistratët dhe Kodin Rrugor, Hysi: Opozita të tregojë përgjegjshmëri

TIRANE, 21 korrik/ATSH/- Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi i bën thirrje opozitës që të hënën, në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, të votojë për ligjin për Magjistraturën dhe Kodin Rrugor.

Në një prononcim për mediat, Hysi thotë se opozita duhet të tregojë përgjegjshmëri me ligjin për magjistratët, duke ndihmuar që gjykatat të mos zhyten më tej në kolaps për shkak të spastrimeve që po bën vettingu.

“Vettingu po ecën dhe po ecën shpejt. Brenda korrikut do të kemi rezultate shumë më të mëdha. Nga ana tjetër kemi një grup studentësh të shkëlqyer që dëshirojnë të fillojnë magjistraturën. E dyta, kemi një grup tjetër magjistratësh që presin të fillojnë të punësohen. Nëse ne themi që ne nuk duhet të bllokojmë, ta çojmë sistemin në kolaps, ne duhet të kontribuojmë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm”, apeloi ajo.

Hysi shtoi se “ne duhet tu japim mundësinë të punësohen këtyre magjistratëve ekselentë. Dua tu bëj një thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që studiojnë jashtë. Mesatarja për të konkurruar në Shkollën e Magjistraturës nuk është 8, por 6.2. Në radhë të parë, duke ju bërë apel kolegëve të mi të opozitës për të ardhur dhe për të votuar ndryshimet në ligj për tu dhënë mundësi në shtator kandidatëve fitues të fillojnë shkollën, dhe nga ana tjetër, ftoj të gjithë studentët që kanë studiuar jashtë, të vijnë dhe të kontribuojnë në Shqipëri”.

Nënkryetarja e Kuvendit tha më tej se “opozita po shkon drejt kërkesës së saj për të ndryshuar dhe zhbërë ndryshimet kushtetuese”.

“ Me sa kuptoj është bërë pishman që i ka votuar aty ndryshime. Ne kemi mundësinë të gjejmë konsensus për të ndryshuar shumë gjëra në ligj. Unë mendoj që duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Të mundësojmë një herë fillimin e plotësimit me gjak të ri, me ekspertë, të sistemit të drejtësisë. E dyta është e rëndësishme të ecim shpejt me vettingun sepse nga kjo varet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i cili ka gati dy lista kandidatësh për Gjykatën Kushtetuese dhe duhet të fillojmë me plotësimet e tyre. Nëse do të ketë një vullnet politik shumë të mirë e bashkëpunim më të mirë, gjithçka mund të zgjidhet. Nuk ka çështje që vullneti e bashkëpunimi nuk i zgjidh”, deklaroi Hysi.

Përsa i përket votimit për Kodin Rrugor, nismë e deputetit socialist Pjerin Ndreu për të mos ju bllokuar patentat emigrantëve apo turistëve të huaj, Hysi tha se “Kodi amendohet në një moment shumë të rëndësishëm kur shumë shqiptarë kanë ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri dhe për shkak të gabimeve që mund të jenë edhe njerëzore ata shpesh mund të marrin edhe dënime të rënda të cilat mund tu kushtojnë shumë”.

“ Unë kam një apel për kolegët tanë: aty nuk ka asgjë politike, në fund të fundit jemi përfaqësues të zgjedhësve tanë pavarësisht bindjeve politike. Në duhet të mendojmë që shtetasit shqiptarë që vijnë takojnë familjarët, që sjellin të ardhura, që kontribuojnë për Shqipërinë, të mos ikin të ndëshkuar.”, tha ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.