“Smile Albania” shpërndan buzëqeshje edhe në Pogradec

TIRANË, 21 korrik/ATSH-N.Lena/ – Jo vetëm shpërndajnë buzëqeshje e udhëzojnë turistët në destinacionet më interesante të qytetit dhe rrethinat e tij, por djemtë dhe vajzat e reja kujdesen edhe për mjedisin në vijën ujore të liqenit. Që në mëngjes herët të rinjtë i gjen të organizuar dhe me veshjen e tyre simbolike, me dorashkat e gomuara e me thasët e zinj, mbledhin daljet liqenore që janë depozituar gjatë natës në rërën e plazheve të qytetit. Të kudondodhur i gjen pranë vizitorëve të huaj që kërkojnë ndihmë e shpjegime për itineraret  e vizitueshme.

Pogradeci është një nga qytetet me një turizëm elitar, me kulturën, traditën dhe bukuritë natyrore, ku vizitori gjen prehje në të katër stinët e vitit.

Në zonën turistike të Pogradecit, për vitin që shkoi janë futur mbi 220 mijë vizitorë.

Vetëm zonën e Prespës e kanë vizituar më shumë se 80 mijë turistë të huaj dhe vendas, thonë administratorët e AdZM-së Korçë që administrojnë edhe zonën e Pogradecit.

Pogradeci dhe rrethinat e tij, janë një atraksion i përhershëm turistik për natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.

Gjatë verës në brigjet e tij për vitin 2017, pushuan rreth 200 mijë pushues pogradecarë, nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe bota.

Liqeni i Ohrit është një perlë e papërsëritshme natyrore, klimatike, relaksuese dhe frymëzuese.

Por, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Pogradeci ka një histori të lashtë dhe monumente kulturore, arkeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desaret dhe Enkelejve.

Në fshatin e  Selcës së Sipërme, i populluar që nga shekulli VI para Krishtit, që kërkonte të bashkohej në betejat e Alexandrit të Madh, janë gjetur  pesë varre të lashtë monumentalë me hyrje të gdhendura që tregojnë famën e qytetit të fuqishëm antik të Pelionit, ku ka jetuar mbreti ilir, Klit.

Rruga Romake “Via Egnatia” kalon përmes rajonit, nga Ohri, përgjatë fshatrave të Mokrës dhe mbaron në detin Adriatik në Durrës, është një tjetër atraksion për turizmin historik.

Ura e Golikut (shek. XVII) ndërtuar mbi Lumin Shkumbin është gjurmë e kësaj rruge të vjetër romake.

Burime të shumta ujore përfshi burimet e Drilonit, ku uji i pastër dhe i kristaltë rrjedh në Lumin Drilon dhe më pas në liqen.

Pogradeci ka një muze të pasur me dëshmi antikiteti dhe të kohës së luftës, ka kasha dhe xhami që vizitohen nga turistët.

Por mbi të gjitha ka një plazh me rërë, ujë të pastër dhe mundësi për argëtime. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjerë privatë e publikë, me rërë e guralecë të vegjël. Jashtë qytetit janë plazhet me ujë të kristaltë të Linit dhe Tushemishtit.

Katër kilometër në lindje të Pogradecit ndodhet edhe pika turistike  e Drilonit.

Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik.

Infrastruktura rrugore është shumë e mirë dhe ndodhet në një kryqëzim rrugësh që lidhin disa qytete të zhvilluara të vendit tonë si Korça, Elbasani, Struga dhe rruga për të udhëtuar drejtë Kapshticës dhe Greqisë. Hoteleria dhe akomodimi në Pogradec është në nivelin më të lartë.

Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.