METEO – Shirat musonikë, begatia dhe fatkeqësia e Azisë

288

ANKARA, 21 korrik /ATSH-AA/ – Shirat musonikë, që përveç begatisë sjellin edhe fatkeqësi, shkaktojnë çdo vit humbje serioze të jetëve dhe dëme të pronave në vendet e Azisë.

Këtë vit, si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës të shkaktuara nga shirat musonikë, në Indi kanë humbur jetën 511 persona, në Nepal 56, Pakistan 15, Sri Lanka 12, ndërsa në Bangladesh, Mianmar, Tajlandë dhe Laos shirat musonikë kanë ndikuar negativisht në jetën e banorëve.

Shirat musonikë, që shkaktojnë çdo vit përmbytje dhe fatkeqësi, janë ndër burimet kryesore që u japin fuqi shumë vendeve aziatike.

Reshjet ushqejnë tokat dhe ujërat nëntokësore dhe mbitokësore në një rajon prej rreth 20 milionë kilometrave katrorë që përfshin 24 shtete.

– Kuptimi i fjalës muson –

Muson do të thotë stinë në gjuhën arabe për të theksuar se reshjet janë stinore.

Kur bëhet fjalë për shirat musonë gjëja e parë që vjen ndërmend është “musoni i Azisë” por përveç kësaj, ekziston edhe ”musoni i Meksikës” ose ”musoni Arizona”, që njihet edhe si ”musoni Veriperëndimor Paqësor”, që përfshin brigjet jugperëndimore të SHBA-së dhe Meksikën.

– Musoni i Azisë –

Shirat musonik që janë aktivë në jug, juglindje dhe lindje të Azisë, shfaqen kryesisht si rezultat i zhvendosjes së masës së lagësht ajrore nga deti në drejtim të tokës, pasi masa tokësore e Azisë, e cila ngrohet për shkak të freskisë së ajrit në Detin Oman, Gjirin e Bengalit dhe Oqeanin Indian, krijon një zonë të ulët të shtypjes.

Në stinën e verës temperatura mesatare mbi Oqeanin Indian është 25 gradë Celsius, ndërsa kjo në sipërfaqe mund të rritet deri në 45 gradë Celsius. Masa të mëdha të reve të cilat lëvizin nga deti në tokë me anë të erërave shkaktojnë reshje sezonale në rajon deri në Himalaja.

Ndërkaq, rajoni që ndikohet më shumë nga reshjet është rajoni që në vete përfshin Indinë, Nepalin, Butanin, Bangladeshin dhe Mianmarin. Reshjet kohë pas kohe në këtë rajon shkaktojnë përmbytje prej të cilave dhjetëra mijëra persona braktisin shtëpitë e tyre.

India është vendi që preket më shumë nga shirat musonikë.

Mbi 500 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shirat musonikë që përfshinë vendin muajin e kaluar.

Sipas një raporti të publikuar nga Komisioni Qendror i Ujërave (CWC), 511 persona kanë humbur jetën dhe 176 të tjerë janë lënduar nga shirat musonikë që kur reshjet përfshinë vendin më 1 qershor.

“Si rezultat i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në 91 rajone, 55 mijë shtëpi kanë pësuar dëme, kurse mbi një milionë kafshë kanë ngordhur”, thuhet në raport.

India këtë vit është përballur me reshjet më të dendura në 64 vitet e fundit.

– “Ministri i vërtetë i Financave i Indisë”

Ndërkohë, shirat musonikë kanë edhe kuptimin e begatisë për vendet aziatike.

Ish-presidenti indian Pranap Mukherjee, për të theksuar rëndësinë ekonomike të reshjeve musonike, ishte shprehur se “Ministri i vërtetë i Financave të Indisë janë shirat musonikë”.

Shirat musonikë sigurojnë burime për ujitje dhe ujë të pijshëm në vendet ku janë aktive.

Kjo në vendet në fjalë ndikon drejtëpërdrejt te bimët, jetesa e gjallesave, bujqësia dhe blegtoria dhe prodhimtaria hidro-elektrike.

Në kushte normale, zonat gjysmë-shkretinore mund të shndërrohen në toka bujqësore dhe livadhe në saje të musoneve. Rajoni i përfshirë nga musoni aziatik ka disa nga tokat bujqësore më pjellore në botë.

Prodhimi bujqësor është kryesisht i varur nga shirat musonikë. Kalendarin e korrjes e përcaktojnë reshjet musonike. Ndryshimet në kohë, sasia dhe shpërndarja hapësinore e reshjeve janë nga faktorët kryesorë që ndikojnë në efikasitetin e sektorit bujqësor./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.