FOKUS – Juncker në SHBA për dhënien fund të luftës tregtare

BRUKSEL, 21 korrik /ATSH-DPA/ – A mundet BE që të parandalojë në kohë një luftë tregtare me SHBA? Kjo është pyetja që presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker shpreson t’i përgjigjet pas takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën e ardhshme, edhe pse dy palët duken të përmbajtura përsa i takon një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Juncker do të takohet me Trump javën e ardhshme me shpresën e mënjanimit të një lufte të ashpër tregtare, ndërkohë që BE po përgatit gjithshtu kundërmasa në rast të një përshkallëzimi të situatës nga ana e Uashingtonit.

Qershorin e kaluar, përveç partnerëve të tjerë tregtarë të Amerikës, Trump rriti taksat për produktet e çelikut dhe aluminit edhe nga vendet anëtare të BE, çka solli që unioni të hakmerrej duke rritur tarifat për më shumë se tre miliardë dollarë mallra amerikane, që fillonin nga gjalpi i kikirikëve deri te uiski dhe motoçikletat.

Këto masa mund të jenë vetëm si lëvizja e parë në një lojë shahu e një lufte më të madhe tregtare nëse Trump vë në jetë kërcënimet e tij për një rritje automatike të tarifave.

“Masat për çelikun dhe aluminin u kthyen nga teorike në praktike, por nëse tarifat do të rriten edhe për makinat, atëhere ky realitet do të bëhej edhe më i ashpër”, deklaroi eurokomisionerja për Tregtinë e BE, Cecilia Malmstrom.

”Kjo lëvizje do të ishte shkatërrimtare”, theksoi ajo.

”Nëse tarifat për metalet prekin 6,4 miliardë eksporte të BE, për makinat kjo do të arrinte në më shumë se 50 miliardë euro në vit”, tha eurokomisionerja.

Malmstrom do të shkojë së bashku me Juncker në SHBA për bisedime me Trump, siç tha ajo, ”në kuadër të miqësisë së gjatë mes SHBA dhe Europës”.

Për të çtendosur situatën, pritet që Juncker dhe Malmstrom të propozojnë të ashtuquajturën ”marrëveshje sektoriale shumëplanëshe” për heqjen e tarifave për makinat.

Përveç BE dhe SHBA, kjo marrëveshje do të përfshijë edhe Japoninë, Kinën, Korenë e Jugut dhe Meksikën./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.