Dëmtimi i pyllit në Fushë-Bulqizë, Klosi: Procedura ligjore për anulimin e kontratës

TIRANË, 21 korrik/ATSH/- Qeveria do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për anulimin e kontratës për shfrytëzimin e pyllit në Fushë-Bulqizë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi sot një takim me banorë të zonës në Bulqizë, nga ku deklaroi se “kjo kontratë është një ndër ato pengesat që po gjejmë nëpër zyrat e shtetit që prej ditës që morëm qeverisjen”.

“Kjo është një ndër ato “bombat”, në sirtare që po gjejmë çdo ditë në zyrat e shtetit e që janë të trashëguara në 27 vite, ku mjedisi dhe natyra janë parë si pasuri e askujt e që të gjithë mund ta shfrytëzojnë e ta dëmtojnë”, tha Klosi.

Qytetarët e Bulqizës i janë drejtuar institucioneve shtetërore përmes platfomës “Shqipëriaqeduam.al”, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre për dëmtimin e pyllit në këtë zonë.

Ministri Klosi vlerësoi qëndrimin e tyre ndërsa i ftoi ata që çdo problematikë ta bëjnë prezente në këtë platformë.

Ministri sqaroi se kontrata është lidhur katër vite më parë për shfrytëzimin e lëndës drusore. Por shtoi ai, është vënë re se kontrata në këto vite ka ndryshuar në krahasim me implementimin e parë.

“Ne do të kërkojmë pezullimin e kontratës dhe do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore për anullimin e saj”, siguroi ministri.

Ndër të tjera, Klosi shtoi se janë një sërë programesh që po zbatohen nga qeveria për mbrojtjen e mjedisit dhe shtimin e zonave të mbjella me pemë. Këtu ai përmendi fushatën që po zbaton qeveria për mbjelljen e 2 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020.
/a.gjonaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.