Zhvillim i zonave rurale nëpërmjet diversifikimit ekonomik

TIRANË, 20 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ Synimi i programit “100 Fshatra” është ai i zhvillimit ekonomik, nëpërmjet diversifikimit ekonomik, për këtë një pikë e rëndësishme është zhvillimi i burimeve njerëzore.

Koordinatorja Kombëtare e Programit “100 Fshatra’, Elda Margariti gjatë takimit mes kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të bashkive, tha se, “nëse nuk do të arrihet zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit ekonomik, do të kemi bërë vetëm disa ndërhyrje të vogla, të prekshme në një afat të shkurtër të cilat nuk do të kenë më jehonë”.

Prandaj tha ajo, këtu ndërveprimi i bashkive është kryesor.

“Infrastruktura vendore është e vërtetë që ka problematika. Kemi projekte në proces prokurimi ose zbatimi në 7 fshatra. Kemi projekte të zbatuar në 6 fshatra. Në një nga këto fshatra përshembull Antigonea, mund t’iu them që është një nga fshatrat në të cilët shikoj një interes të madh, ku infrastruktura në vetvete nuk do të sjelli prishjen e potencialeve, por do të shtojë potencialet e këtij fshati. Pse e them këtë? Sepse në shumë fshatra, dhe kjo është një këshillë e thënë edhe nga ekspertët e huaj, ndonjëherë infrastruktura do të sillte prishjen e potencialeve, nëse ne më përpara nuk do të kishim punuar në këtë fshat. Pra më përpara duhet të punojmë, të ngrejmë disa asete në këto fshatra dhe më pas të mund të ecim përpara dhe të çojmë rrugën në to”, u shpreh Koordinatorja Kombëtare e Programit “100 Fshatra’.

“7 projekte janë në rikonstruksion në ndërtim. Jemi në fazë më të avancuar me hartimin e dokumentacionit teknik dhe kemi në total 221 projekte të propozuara që konsistojnë në rrugë, por konsistojnë gjithashtu edhe në sinjalistika dhe kjo është gjithashtu një nga problematikat, për të cilat mund të bashkëveprojmë shumë mirë për të evidentuar sa më shpejt se cilat janë këto problematika në sinjalistika, në zyrat e informacionit, në rikonstruksionet e shtëpive, por jo vetëm në fokus për jetën e përditshme apo agroturizmin. Mbi të gjitha mund të jenë rikonstruksione të shtëpive që kanë nevojë për tu zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të ndryshme artizanale’, tha Margariti. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.