PERU – Dorëhiqet kryetari i Gjykatës Supreme pas korrupsionit masiv të gjyqtarëve

LIMA, 20 korrik /ATSH-AFP/ – Kryetari i Gjykatës Supreme të Perusë, Duberli Rodriguez paraqiti sot dorëheqjen pas publikimit të regjistrimeve kompromentuese, në të cilat dëgjohen gjykatësit që ndryshojnë dënimet në këmbim të parave, njoftoi Gjykata.

“Duke parë krizën institucionale që po kalon institucioni gjyqësor, më i larti në vend, paraqes dorëheqjen time”, shkruan Rodriguez në një letër, përmbajtja e të cilës u publikua në Twitter.

Presidenti i Këshilli Kombëtar të Magjistraturës (CNM), Orlando Velasquez dha gjithashtu dorëheqjen vetëm tre ditë pasi kishte marrë funksionet pas dorëheqjes së paraardhësit të tij.

“Është në dinjitetin tonë të tërhiqemi”, deklaroi Velasquez, i cili është anëtari i gjashtë që dorëhiqet nga CNM.

I shtati dhe anëtari i fundit mund të dorëhiqet në ditët e ardhshme.

“Përfshirë nga ky skandal, drejtësia peruane shpalli të mërkurën gjendjen e jashtëzakonshme për një afat kohor prej 90 ditësh”, sipas fletores zyrtare.

Këto vendime ndodhën një javë pas publikimit në median peruane të regjistrimeve që akuzojnë gjyqtarët e Gjykatës Supreme apo të Këshillit Kombëtar të Magjistraturës (CNM), një organizëm i ngarkuar për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.