Për regjistrimin e fëmijëve duhet të jemi gjithmonë në alarm

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Për regjistrimin e fëmijëve duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, thirri sot mbledhjen e grupit parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, e cila shqyrtoi raportin “Mbi gjendjen e pashtetësisë në Shqipëri”.

Në fjalën e tij në këtë aktivet, Kryetari i Kuvendit, Ruçi u shpreh se qëllimi ynë është avancimi i axhendës për trajtimin e çështjeve të fëmijëve, në Kuvendin e Shqipërisë dhe plotësimi i detyrave që rrjedhin nga plani i punës dhe kalendari i veprimtarive të Grupit.

Duke iu referuar raportit të pashtetësisë të përgatitur nga TLAS, me mbështetjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara UNICEF dhe UNHCR, në kuadër të Koalicionit për të Drejtën e çdo Fëmije për Shtetësi, Ruçi nënvizoi se: “Në rastin e Shqipërisë ky problem haset kryesisht në fëmijët e lindur në emigracion, të lindur jashtë martese, të lindur nga prindër të parregullt ose të paregjistruar, në fëmijët romë dhe egjiptianë, por edhe të huaj, që kanë vështirësi të regjistrohen në gjendjen civile apo të pajisen me dokumente udhëtimi në vendin tonë. Unë mendoj se duhet t’i kushtohet një vëmendje më e madhe jo vetëm studimore, por ligjore dhe institucionale, trajtimit të problemeve të fëmijëve që i kanë këto pasoja për shkak të lindjes në emigracion, në kuadrin e rishikimit të vizionit dhe punës sonë për Diasporën.”

Në mbyllje të aktivitetit, Kryetari i Kuvendit Ruçi i bëri thirrje deputetëve që pjesëmarrja në këtë grup duhet të konsiderohet jo vetëm një përgjegjësi dhe angazhim njerëzor, shoqëror dhe moral, por një detyrë e mirëfilltë politike dhe institucionale, për të cilën duhet të punojmë më shumë.

Për regjistrimin e fëmijëve, bëri thirrje Ruçi, duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm. Në fund të muajti shtator do të thërras mbledhjen e Grupit “Miqtë e Fëmijëve” për të diskutuar realizimin e detyrave që caktuam sot.

Këtë aktivitet e përshëndeti dhe ambasadori i UNHCR-ës, Pablo Zapata Olivares, i cili tha se kjo është një fushatë që UNHCR ka ndërmarrë, për eleminimin e të gjithë pashtetësisë deri në vitin 2024 në të gjithë botën, nisur nga shqetësimi se në botë ka rreth 10 milionë njerëz, të cilët nuk gëzojnë shtetësinë e asnjë vendi.

“Në Shqipëri shifrat e fundit të Censusit, ku vullnetarisht individë që nuk kanë shtetësi, deklaruan 7,443 persona të paregjistruar. Kjo situatë na bëri që të bashkëpunonim me shoqatën “Ndihma ligjore Tiranë” dhe në diskutimet tona arritëm në përfundimin e këtij studimi që po prezantohet sot. Ne bashkëpunuam me zyrën e gjendjes civile dhe caktuam një afat 4-mujor për identifikim e personave të cilët nuk janë të regjistruar dhe nuk kanë shtetësi dhe brenda 4 muajve ne arritëm të identifikonim 1031 persona, të cilët nuk janë të regjistruar”, – sqaroi Olivares.

Gjithashtu, ai vuri në dukje faktin se këto shifra janë vetëm për brenda territorit të Shqipërisë, duke mos marrë në konsideratë diasporën, të cilët janë të paregjistruar dhe bëhen pjesë e këtij problemi.

Zëvendëspërfaqësuesi i UNICEF-it, Javad Aslam, falënderoi Kryetarin Gramoz Ruçi për lidershipin aktiv të këtij grupi parlamentar, si dhe të gjithë deputetët nga të gjitha partitë politike që janë pjesë e këtij grupi.

Ky grup parlamentar, u shpreh Aslam ofron një shembull demokracie shumëpartiake, që është në veprim, duke ushtruar drejtpërsëdrejti bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe organizatat që punojnë në këtë fushë. “Problemi i pashtetësisë prek më së shumti fëmijët, pra 99% të paregjistruar janë nën moshën 18-vjeçare, ku shumica e tyre vijnë nga grupe të margjinalizuara, grupe emigrante, grupe me etni rome, egjiptiane ose grupe me gjendje shoqërore dhe ekonomike në varfëri”, – përfundoi fjalën e tij Aslam.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.