Fondi i Ballkanit, Bushati: Nxitje e bashkëpunimit dhe promovim i vlerave të përbashkëta

TIRANË, 20 korrik/ATSH/- Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ngritur një urë të re bashkëpunimi përmes krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor (FBP), i cili vlerësohet të ketë një impakt pozitiv në rajon e që do ta shtrijë e pasurojë në formë e në përmbajtje bashkëpunimin rajonal.

FBP është një organizatë ndërkombëtare e themeluar nga qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni dhe Serbi.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në një prononcim për ATSH-në deklaroi se krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor është më se i mirëpritur sepse Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do të ulen dhe do të kenë projekte të përbashkëta.

Qëllimi i Fondit, sipas Bushatit, është nxitja e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, forcimi i lidhjeve midis tyre, promovimi i vlerave të përbashkëta mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve të rajonit, duke tentuar forcimin e kontakteve mes njerëzve.

“Përpara tre javësh, me disa kolegë të nderuar të Parlamentit, në një sesion punimesh të FMN-së në Vjenë, ku kishte përfaqësues të parlamenteve të ndryshme nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Shqipëria, vende të një rajoni që para pak kohësh nuk do t`i shikonim në një tryezë tre ditore duke mbajtur punime të përbashkëta për të bashkëbiseduar, për të ngritur pyetje, por ama këto procese të cilat kanë ulur në tavolinë vende të cilat e kanë pasur të vështirë të komunikonin dhe të flisnim më parë, janë më se të mirëpritura. Në këtë kuadër, edhe ky mekanizëm i ri që propozohet sot, mendoj që do të jetë shumë i nevojshëm për të harmonizuar bashkëpunimin, bashkërendimin dhe pse jo projekte të përbashkëta të vendeve që më parë nuk kanë pasur ura komunikimi siç ishte Kosova me Serbinë apo qoftë edhe Kroacia me Serbinë, etj”, – deklaron Bushati.

Faza ku gjendemi ne sot, shprehet ai më tej, faza e zhvillimit të vendit por edhe e rajonit, vende të cilat kanë pasur problematika të mbartura ndër shekuj për arsye të përfitimeve qoftë sociale apo dhe ekonomike të ulen në tryezë, të kapërcejnë ndasitë dhe të punojnë si një trup i vetëm.

Bushati parashtron edhe sugjerimet e tij për ta bërë më të suksesshëm këtë projekt.

“Formati që do të bashkëpunojnë të jetë i marketueshëm në mënyrë edhe më konkrete, më të thjeshtë, më të prekshme dhe me thithëse nga ana e marketimit, për të afruar sa më shumë të rinj, për të afruar sa më shumë shtresa apo grupe interesi të cilat janë të interesuar siç mund të jetë turizmi, sepse e bëjnë më të thjeshtë dhe më bashkëpunues procesin”, – shprehet ai.

Sot, shprehet Bushati, shohim raste ku turizmi, sidomos ai alpin, po kombinon paketa të përbashkëta ndërmjet Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe pse jo dhe Serbisë.

“Ka shumë të huaj që vijnë nga Europa Qendrore apo edhe vendet nordike që duan të shikojnë këto vende si një paketë e vetme. Duhet ta trajtojnë Ballkanin si një paketë e vetme turistike dhe kjo duhet menduar si diçka e tillë, pra të kemi një format të thjeshtë, të marketuar mirë që të funksionojë edhe përtej parametrave politik duke pasur pse jo edhe një logo të saj”, – propozon deputeti socialist.

Së dyti, Bushati propozon që duke filluar nga viti i ardhshëm, ministri i Jashtëm dhe ai Financave gjejnë mekanizmat për të krijuar një fond të përbashkët.

“Këtij fondi bashkëpunimi i duhen dhënë edhe mjetet financiare që nesër të kemi disa projekte të përbashkëta. Të ftojmë disa të rinj nga të gjitha trevat e këtyre vendeve, të kemi disa projekte kulturore, turistike, kulinare, etnografike etj, ndaj do të doja që vitin e ardhshëm të shikohen edhe hapësirat financiare, mes ministrit të Financave dhe ministrit të Jashtëm për të pasur projekte të sakta”, – shprehet ai.

Selia e Sekretariatit të Fondit është në Tiranë. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.