Europa League/ Partizani eleminohet pas humbjes 2-0 në Slloveni

TIRANË, 20 Korrik /ATSH/ -Skuadra e Partizanit u mposht me rezultatin 2-0 nga skuadra e Mariborit dhe i dha lamtumirën aventurës europiane në Europa League për këtë sezon.

Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega humbi 0-1 edhe në “Selman Stërmasi” javën e kaluar, por pikërisht loja e mirë në atë takim, kishte rritur shpresat për një kualifikim të mundshëm të të kuqve.

Gjithsesi në sfidën e sotme në Slloveni, Partizani rezistoi vetëm 31 minuta lojë, kur Dervisevic arriti të kalojë në avantazh vendasit e Mariborit. Duhet theksuar se të kuqtë goditën dy herë traversën, fillimisht me Atandën kur rezultati ishte 0-0 dhe më pas me Abdurrahimin vetëm pak minuta larg fundit.

Goli i dytë për sllovenët u shënua në sekondat e fundit të takimit, nga ana e Tavares, i cili vulosi edhe rezultatin 2-0 dhe kualifikimin me rezultatin total 3-0.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.