Europa League/ Laçi kualifikohet për në fazën tjetër

TIRANË, 20 Korrik /ATSH/ -Skuadra e Laçit ia doli të kualifikohet në raundin tjetër të Europa League, teksa eliminoi skuadrën qipriote të Anorthosis Famagustas. Bardhezinjtë u mposhtën 2-1 me përmbysje në Qipro, por arritën të rikthejnë gjithçka në favorin e vet, në sfidën e kthimit, të luajtur në Laç duke fituar 1-0 në minutat e fundit..

Pjesa e parë e ndeshjes në Laç ishte e qetë, me qipriotët që qarkullonin topin dhe vendasit që mbroheshin me forca të shumta, duke mbajtur barazimin pa gola.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Prenga u zgjua rreth minutës së 60’ dhe filloi të kërkojë golin në mënyrë konstante, duke krijuar disa raste të rrezikshme.

Gjithsesi goli erdhi në minutën e 89’, ku pas një aksioni nga krahu i djathtë i sulmit, Sefgjini krosoi në zonë dhe Myrto Uzuni devijoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e kualifikimit.

Pesë minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari nuk sollën asgjë të re, pasi laçjanët luajtën mirë në mbrojtje, duke mos i dhënë mundësi kundërshtarit të shënojë.

Kështu Laçi gjen fitoren e parë europiane, në ndeshjen e 12 në histori, pasi deri tani regjistronte 5 barazime dhe 6 humbje, ndërsa kualifikohet për herë të dytë në turin tjetër të Ligës së Europës.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.