AERONAUTIKË – Shumë shpejt fluturime luksoze si ato me jahte

180

LONDËR, 20 korrik /ATSH/ – Udhëtarët shumë shpejt do të kenë mundësinë të fluturojnë me një zepelinë luksoze me pamje poshtë dhe dhoma çift, shkruan “The Sun”.

Gjysmëavion dhe gjysmëzepelinë “Airlander 10” do të ofrojë dhoma gjumi me tualete, zona për të ngrënë dhe për të qëndruar që kanë pamje të plotë të horizontit.

Zepelina mund të presë deri në 18 pasagjerë dhe një anëtar bordi.

“Hybrid Air Vehicles” (HAV), që po krijon këtë zepelinë prej 25 milionë paund, synon të krijojë mundësinë për “ekspedita luksoze” duke vajtur në zona që nuk mund të shkohet me metodat ekzistuese të transportit.

“Në parim, ky mjet fluturues, do të jetë në gjendje të ulet në çdo sipërfaqe të sheshtë pa nevojën e infrastrukturës tradicionale siç janë portet apo aeroportet”, sipas kompanisë.

“Airlander 10” është 92 metra i gjatë, 43 metra i gjerë dhe 25 metra i lartë, me kabinën që është më e madhe se sa avionët e linjës që kanë gjashtë vende për t’u ulur në një rresht.

HAV beson se kjo zepelinë mund të përdoret për shumë funksione duke filluar nga udhëtimet për të pushuar, deri tek ato për mbikëqyrje, komunikim, dhënie të ndihmës si dhe misione shpëtimi. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.