SLLOVENI –  Vendi ende pa qeveri pas dështimit të negociatave

LUBJANË, 19 korrik /ATSH-AFP/ – Udhëheqësi konservator slloven, Janez Jansa fitues i zgjedhjeve parlamentare të 3 qershorit, njoftoi sot se nuk ka arritur të formojë koalicionin qeverisës brenda afatit të caktuar nga kreu i Shtetit, ku pritet tashmë t’i delegohet kjo detyrë Parlamentit për një fazë të dytë negociatash.

I renditur i pari me 25% të votave, Jansa, një mik i ngushtë i kryeministrit hungarez, Viktor Orban me të cilin ndan të njëjtën linjë të ashpër ndaj imigracionit, kishte afat deri në fund të kësaj jave për të mbledhur maxhorancën qeverisëse.

‘’Ju informoj se aktualisht nuk ka asnjë mundësi për të formuar një qeveri të konsoliduar për mandatin 2018-2022’’, u shpreh Jansa me anë të një postimi në Twitter.

Që në fillim, shumica e partive politike që do të ulen në Parlamentin e ri kishin përjashtuar mundësinë e aleancës me këtë personalitet përçarës, i cili ka mbajtur këtë post nga viti 2004 deri në 2008 dhe nga 2012 deri në 2013. Gjashtë javë negociata të ndërmarra nga fituesi i zgjedhjeve nuk rezultuan të sukseshme./

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.