FOTO/ Monitorimi i breshkave të detit në plazhet shqiptare

TIRANË, 19 korrik / ATSH / – Për çdo vit në sezonin e verës breshkat e detit dalin jashtë ujit dhe lëshojnë vezët e tyre në plazhet me rërë në rajonin lindor dhe jugor të pellgut të Mesdheut (kryesisht Greqi, Turqi, Qipro, etj.).

Në vitet e fundit, një numër i vogël i foleve të breshkave të detit janë raportuar në Itali, Spanjë dhe vende të tjera ku zakonisht nuk është raportuar më parë për fole të tyre.

Të tilla folezime, të ashtuquajtura “sporadike”, janë me interes të lartë shkencor, sepse ato tregojnë se kemi të bëjmë me një spostim të mundshëm të shpërndarjes së folezimeve të breshkave të detit drejt zonave perëndimore dhe veriore të Mesdheut.

Breshkat e detit janë lloje migratore dhe ato mund të përgjigjen ndaj ndryshimeve klimatike duke gjetur dhe përdorur habitate të reja për të folezuar, ushqyer dhe dimëruar.

Një ekip kërkimor, i udhëhequr nga Dr. Enerit Sacdanaku, është duke eksploruar të gjitha plazhet me rërë të Shqipërisë për të vlerësuar se cilat plazhe janë të përshtatshme për folezimin e breshkave të detit.

Në ditët e para të punës në terren, Dr. Sacdanaku dhe ekipi i tij, në bashkëpunim me stafin e Agjencisë Rajonale të Zonës së Mbrojtur të Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta, vizituan plazhin e Divjakës, ku është dokumentuar zyrtarisht, foleja e parë e breshkave të detit në Shqipëri, gjetur nga një banor vendas.

“Për të grumbulluar të dhënat e nevojshme, ne po përdorim metoda tradicionale, por gjithashtu edhe dronin me një program të specializuar, i cili, përveçse do të krijojë hartat e plazheve, do të japë informacion edhe për lartësinë e plazheve mbi nivelin e detit, si një faktor kyç për të përcaktuar përshtatshmërinë e një plazhi për folezimin e breshkave të detit’’, shpjegon Dr. Sacdanaku.

Gjithashtu, ekipi kërkimor gjatë punës së tij përgjatë plazheve, do të vëzhgojë edhe për shenja të mundshme të folezimit të breshkave të detit si dhe synon të krijojë një rrjetë komunikimi midis publikut (turistë, banorë lokal, peshkatar, etj.), strukturave përkatëse përgjegjëse për ruajtjen dhe menaxhimin e plazheve (Administrata e Zonave të Mbrojtura bregdetare, bashkitë, etj.) si dhe ekspertëve të fushës, me qëllim që të raportohet çdo rast i mundshëm i aktivitetit të folezimit.

Deri tani, një popullatë e rëndësishme e breshkës së detit është identifikuar se përdor ujërat e bregdetit të Shqipërisë për tu ushqyer dhe dimëruar, ndërsa rastet e raportuara për folezimin e tyre kanë qenë shumë të pakta dhe jo zyrtare, deri në gjetjen e fundit në plazhin e Divjakës.

Ky projekt kërkimor, i pari në llojin e vet në Shqipëri, do të ndihmojë për të siguruar të dhëna të rëndësishme dhe do të japë rekomandime të vlefshme në marrjen e masave ruajtëse për të mbrojtur plazhet e Shqipërisë dhe në këtë mënyrë të kemi plazhe të një cilësie të mirë si për breshkat, ashtu edhe për turistët.

Ky projekt po zbatohet nga shoqata MEDASSET2 dhe është pjesë e një projekti më të madh në rajonin e Mesdheut, financuar nga Fondacioni MAVA3. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.