Busti i Pjetër Arbnorit vendoset në godinën e Kuvendit, Ruçi: Njeri i dashurisë për njerëzit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ – Në sheshin para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt sot ceremonia e përurimit të bustit të ish-Kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti Ilir Meta, Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kreu i PD, Lulzim Basha, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetë nga të gjitha partitë politike si dhe familjarë të Pjetër Arbnorit.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi vlerësoi figurën e Arbnorit, duke u shprehur se ai mbeti njeri i dashurisë për njerëzit. “Me hapin e tij të lehtë e përshkoi këtë shesh i qetë, por edhe i trazuar, i gëzuar por edhe i trishtuar, shpresëplotë por edhe i zhgënjyer, por kurrë nuk i mungoi atij dashuria për njerëzit. Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur, dinjitoz dhe i respektuar, jeta vuajtjet ja derdhi lumë, kurse lumturinë ja dha me kursim, ja dha me vonesë dhe ja mori shumë shpejt. Në drejtim të Kuvendit, Pjetër Arbnori mbeti njeri i dashurisë për njerëzit”, – tha Ruçi.

Ndërsa vajza e Arbnorit tha se “shpresoj shumë që jeta dhe vepra e tim eti të na frymëzojë të gjithëve ne që ta jetojmë jetën çdo ditë, duke besuar në Zot dhe vlera, me dinjitet, pa kompromise dhe me sakrificë”.

Në fjalën e tij, ish-ministri dhe publicisti Besnik Mustafaj tha se Parlamenti do të mbetet shtëpia e patjetërsueshme e Pjetër Arbnorit.

“Faleminderit zotni Pjetër që u ktheve në shtëpinë tënde, tani e mbrapa nuk do të na largohesh më. Ky Parlament do të mbetet shtëpia e patjetërsueshme e tij. Ai ishte një burrë i pjekur dhe i ditur, i aftë ta zgjedhë fjalën e duhur. Ishte pajtues, por jo në dëm të së vërtetës”, – tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.