ATHINË – Greqia vazhdon programin “viza të arta në këmbim të investimeve”

ATHINË, 19 korrik /ATSH-AFP/ – Greqia do të vazhdojë programin e saj të “vizave të arta” të rezervuara deri tani për blerësit e pasurive të patundshme, shtetasit e vendeve të treta që investojnë apo depozitojnë 400 000 euro apo më shumë në vend, theksoi sot ministria greke e ngarkuar me politikën migratore.

”Një projektligj në këtë kuadër do të votohet deri në vjeshtë”, theksoi ministria duke konfirmuar një artikull të të përditshmes “Kathimerini”.

”Objektivi është tërheqja e investitorëve për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe për t’iu përgjigjur kërkesës së tregjeve”, theksoi një burim ministror.

Dispozita e re do të mundësojë shpërndarjen e një leje qëndrimi pesë vjeçare duke hapur portat e Bashkimit Europian për shtetasit e vendeve joeuropiane që depozitojnë në bankë apo investojnë në bono apo aksione greke një shumë minimale prej 400 000 euros.

Vendi, që është përfshirë që prej tetë viteve nga kriza dhe recesioni, rezervonte deri tani “vizat e arta” për shtetasit e vendeve të treta duke blerë pasuri të patundshme me një vlerë të paktën 250 000 euro.

“Kinezët, rusët, turqit dhe egjiptianët kryesojnë me rreth 5 000 përfitues nga ky program, nisur në vitin 2013 dhe që ka ngjallur një interes në rritje”, sipas ministrisë.

Rreth 13 vende të Bashkimit Europian kanë hartuar programe të tilla, që Parlamenti Europian kërkon t’i inkuadrojë më mirë në emër të luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.