Qytetari i varfër tek sporteli, mund të të heqë nga puna

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Rastet e fatkeqësive për të cilat ka një detyrim dhe për të cilat bëhen dosjet, mbahen evidencat merret përsipër të regjistrohet dëmi dhe pastaj dëmshpërblimi nuk vjen. Dy raste të tilla u paraqitën sot në takimin me koordinatorët e platformës së Bashkëqeverisjes “Shqipëriaqë duam.al”.

I pari ishte ai i një banori të Tropojës, i cili kishte depozituar një ankesë në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes për dëmshpërblimin e shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, por që nuk u dha që prej vitit 2016, kur banesa u dogj nga një shkëndijë elektrike, duke lënë në qiell të hapur familjen me 5 fëmijë. Pas ankimimit në portal, familja Toskaj u vendos në listën prioritare për të marrë dëmshpërblimin.

Ndërkaq, një rrëshkitje toke e bëri të pabanueshme shtëpinë e një qytetari i cili iu drejtua platformës së Bashkëqeverisjes. Ministria e Mbrojtjes me të marrë referimin nga portali, e vendosi familjen në listën prioritare dhe zotëria u përfshi në skemën e ndihmës ekonomike.

Qytetari në fjalë duke treguar rastin, falënderoi Kryeministrin duke thënë: “Unë jam njeri i varfër e pa përkrahje, nuk mendonte njeri për mua”.

Duke marrë shkas nga këto fjalë, kryeministri Rama vuri në dukje se “virtyti i portalit të Bashkëqeverisjes është se platforma nuk njeh të varëfr apo të pasur, qytetarë që jetojnë në qytet apo në fshat, nuk njeh të moshuar apo të rinj, njeh vetëm qytetarë të barabartë të republikës së Shqipërisë që në momentin që i adresohen platformës, kanë ministrinë në dispozicion”.

“Në një vend ku është kërkuar miku, rruga e shkurtër përmes partisë, krushqisë, lekut, platforma i asgjëson të gjitha këto për ata që i adresohen”, nënvizoi Rama, duke theksuar se ata që ndjekin ende rrugën e rrushfetit e kanë gabim, dhe duhet të adresohen në platformë, qoftë edhe për ta provuar nëse funksionon.

“Për rastet e shërbimit në spital, platforma ka prioritet dhe lëviz menjëhere në sekondë duke e çuar fjalën tek ministrja”, tha Rama. Ai nënvizoi se rasti i qytetarit që u përfshi në skemën e ndihmës ekonomike u zgjidh dhe përbën një mesazh se për platformën nuk ka të varfër dhe të pasur. “Virtituti i platformës është që ai që vjen te sporteli e që duket i dobët dhe i pambrojtur, mund të të heqë nga puna”, përfundoi Kryeministri. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.