Plan masash për sigurinë në sezonin veror, çelen tre stacione të reja policore

263

TIRANË, 18 Korrik/ATSH-A.Fortuzi/- Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan të strukturuar masash për të ruajtur jetën e qytetarëve për mbarëvajtjen e sezonit veror, duke nisur nga bashkëpunimi me qytetarin, duke vijuar tek qarkullimi rrugor, ndotja akustike dhe duke përfunduar me të gjitha kontrollet në zonat me dendësi të lartë përgjatë 24-orëve.

Secili departament nga qendra deri në zonat më lokale kanë detajuar planin për sezonin veror. Strukturat vendore e lokale kanë skanuar të gjithë situatën kriminale në territor për mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, tha Gjovalin Loka, Drejtor për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit.

“Një ndër pikat kryesore është bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me qytetarët. Ne kemi vënë në dispozicion jo vetëm numrin 129 (për rrethet) dhe 112 (për Tiranën), por dhe komisariatin digjital për të qenë sa më pranë qytetarëve. Numrat e drejtorëve, zv. drejtorëve të policisë janë publikuar, afishuar… etj, kjo i jep mundësi kujtdo që nuk ka besim te policia të kontaktojë drejtorin e policisë dhe të japë denoncimin e tij.  Rezultati ka qenë evident, pasi rritja e numrit të telefonatave na shtyn të mendojmë se është rritur besimi i qytetarit në drejtim të policisë. Kemi pasur raste pozitive të këtij bashkëpunimi, duke kapur autorë grabitjesh, kemi parandaluar tentativë vrasje…etj etj”, tha Loka

Duke vijuar me turizmin. Në këtë plan masash vihet re prezenca e shtuar e punonjësve të policisë, e cila garantohet nga një riorganizim të forcave policore duke transferuar një numër punonjësish policie nga rrethet që kanë një fluks të ulët qytetarësh tek zonat me përqëndrim më të lartë, si bregdeti…”, tha Loka

“Kemi çelur stacion provizore policie, si në Theth, Tale, Gjirin e Lalzit e Ksamil… Këto stacione janë me të gjitha kushtet. Forcat policore janë ndarë me tre turne, duke e mbuluar kontrollin dhe mbikëqyrjen në 24 orë”, vijoi Loka.

“Sa i takon ndotjes akustike, lokalet kanë të drejtë deri në orën 00:00 të kenë volumin e muzikës së lartë dhe në rast të kundërt, kur ky orar nuk zbatohet atëherë vihet masë administrative, prandaj ne kemi informuar biznesin dhe kemi kërkuar bashkëpunim me të. Edhe për sipërmarrjen private që ushtron aktivitet privat në plazh kemi informuar mbi çdo rregull që ka zona bregdetare, ndotjen akustike, personat e shpëtimit, apo kontrolle për lëvizjen e mjeteve ujore…etj”, tha Loka, gjatë një interviste televizive.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.