Ndihmë ekonomike pa të drejtë, largohen nga skema 4 familje

TIRANE, 18 korrik/ATSH/- Ankesat e qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes, kanë shërbyer jo vetëm për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre por edhe për t’i dhënë fund abuzimeve.

I tillë është edhe rasti i qytetarit nga Dibra, Agim Muraj i cili denoncoi në platformën e bashkëqeverisjes 4 familje, tre prej të cilëve ishin banore të qytetit të Durrësit dhe një prej tyre jetonte jashtë territorit të Shqipërisë dhe në mënyrë të padrejtë përfitonin ndihmë ekonomike nga Qarku Dibër.

Koordinatorja e bashkëqeverisjes për këtë rast tha se “platforma e bashkëqeverisjes ngre fortesa në mbrojtje të qytetarëve dhe e them këtë në mënyrë metaforike pasi i jep të drejtën për zgjidhje të çdo problematike që qytetarët adresojnë në këtë platformë. Nga ana tjetër, kjo platformë rrëzon fortesa kur një individ apo një grup i caktuar individësh, përpiqen të përfitojnë në mënyra spekulative dhe të padrejta”.

“ Rasti që dua të prezantoj ka të bëjë me një denoncim të ardhur në platformë nga qytetari Agim Muraj në lidhje me 4 familje tre prej të cilëve ishin banore të qytetit të Durrësit dhe një prej tyre jetonte jashtë territorit të Shqipërisë dhe në mënyrë të padrejtë përfitonte ndihmë ekonomike nga qarku Dibër. Me marrjen e këtij denoncimi, platform vuri në lëvizje institucionet përgjegjëse dhe ishte më pas Shërbimi Social Shtetëror ai që ngriti grupin e punës, bëri verifikimin e duhur nga ku rezultoi se këto 4 familje përfiton ndihmë ekonomike në mënyrë të padrejtë”.

Qytetari i cili denoncoi rastin në “shqiperiaqeduama.l”, Agim Muraj u shpreh  se “nuk kam ardhur për tu hequr njerëzve ndihmën ekonomike por për të zhbërë edhe një të drejtë që edhe kur hipën ktu për shkallë, ka shkallë çdo gjë e para e dytë e tretë. Në zonën ku jetoj unë, njerëzit në shkallën e parë i kanë vendosur në shkallën e fundit dhe ata të shkallës së fundit në shkallën e pare”.

Gjithashtu, ai shprehu ankesa ndaj administratës së komunës për shkak të gjendjes se rrugëve duke u shprehur se “në rrugët tona humbë kali bashkë me samarin ndërsa fonde nuk dihet se ku shkojnë”.

Kryeministri Rama tha se “këtu nuk është fjala për t’u hequr ndihmën ekonomike disa familjeve por për ta çuar atë fond te familjet që e meritojnë”.

“ Nëse 4 familje e marrin ndihmën ekonomike duke bërë sikur janë në Dibër,  njëra është jashtë shtetit dhe tre të tjerë janë në Durrës, atëherë 4 familje që e meritojnë ndihmën ekonomike nuk e marrin dot për shkak se këto para që mund të shkojnë të shkalla e parë, shkojnë te shkalla e fundit”.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.