Iniesta: I gëzuar që do të luaj me “Vissel Kobe”

TOKIO, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Qindra tifozë përshëndetën sot ish-yllin e “Barcelonës”, Andres Iniesta, pasi mbërriti në Japoni për t’u bashkuar me “Vissel Kobe”, ekipi i parë i divizionit J-League.

“Ishte një udhëtim i gjatë dhe mezi prisja të vija në Japoni. Jam i gëzuar që do të luaj me shokët e ekipit tim ‘Vissel'”, – u tha Iniesta gazetarëve, pas mbërritjes në aeroportin ”Kansai”.

“Shpresoj që tifozët do të gëzojnë duke më parë mua dhe ekipin tim të luajmë. Unë do të bëj çmos për ta bërë sfidën time të re një sukses”, – tha Iniesta.

Iniesta është planifikuar të bashkohet me shokët e rinj të skuadrës për trajnim të premten dhe mund të bëjë debutimin e tij në J-League të dielën, kur “Vissel Kobe” luan me “Shonan Bellmare”, raportoi ”Kyodo News”.

“Dua të luaj sa më shpejt të jetë e mundur. Do të jem në gjendje të mirë për të dielën dhe shpresoj t’u demostroj tifozëve një lojë  të shkëlqyer”, – theksoi kampioni.

Në muajin maj, Iniesta pranoi të bashkohet me “Kobe”, të cilët janë të gjashtët pas 15 ndeshjeve, pas përfundimit të mandatit të tij 22-vjeçar me kampionët spanjollë të “Barcelonës”.

“Mesfushori 34-vjeçar besohet të ketë nënshkruar një marrëveshje shumëvjeçare me një pagë vjetore prej 30 milionë dollarësh”, – tha Kyodo.

Ish-sulmuesi i Gjermanisë, Lukas Podolski, gjithashtu u bashkua me “Kobe” vitin e kaluar pas trasferimit nga skuadra e “Galatasarait”./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.