Liqeni i Vogël në Pukë, atraksioni i ri turistik për banorët e vizitorët

TIRANË, 17 korrik /ATSH/- Liqeni i Vogël në Pukë nga një gropë e pushtuar nga ferrat dhe mbeturinat, tashmë është transformuar në një hapësirë rekreacioni për banorët dhe turistët.
Me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës (CEB), Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) po punon për rikualifikimin urban të qytetit, ku pjesë e këtij projekti është edhe ky liqen i cili do të shndërrohet në një atraksion të veçantë për këtë zonë.
Shtrimi i shesheve përpara bashkisë dhe ish-Turizmit, ndërtimi i pedonales dhe rikonstruksioni i çative dhe fasadave të ndërtesave përreth është drejt përfundimit, njofton Fondi Shqiptar i Zhvillimit në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Procesi i rikualifikimit urban ka prekur kësaj here qytetin e Pukës, që do të nisë nga rikonstruksioni i fasadave të pallateve, ndërtimin e një shëtitoreje rreth liqenit, kënd lojërash për fëmijë si dhe një amfiteatër, duke i dhënë këtij qyteti një pamje tjetër.
Sistemi i rikualifikimit të banesave, pedonalja dhe projekti i liqenit, do t’i japin një tjetër frymëmarrje Pukës.
Projekti për Bashkinë Pukë është ndarë në dy faza. Ka përfunduar faza e parë e cila ka kryer ndërtimin e pedonales së qytetit, çative të ndërtesave, ndriçimin dhe rivitalizimin e hapësirave të gjelbra dhe ndërtimin e shatërvanit në sheshin e qytetit. Pas gati 30 vitesh po investohet në Pukë, për t’i dhënë një fizionomi tjetër këtij qyteti, për ta bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agro-turizmit.e.xh/ j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.