Apeli i Hahn: Angazhim konkret nga Parlamenti dhe shoqëria civile

105

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ – Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn theksoi që në këtë fazë të procesit integrues të vendit është e rëndësishëm edhe kontributi i Parlamentit, mazhorancë-opozitë.

“E kam theksuar rëndësinë që ka i gjithë ky proces për gjithë administratën, që të shtojë përpjekjet e nevojshme dhe të organizojë më së miri strukturën e vet me atë që do të jetë një proces mjaft intensiv. Kjo është një përpjekje që do të kërkojë shtysë jo vetëm nga qeveria, por ka një nevojë kyçe që të gjithë aktorët e tjerë të japin kontributin e tyre, duke përfshirë gjithë Parlamentin dhe shoqëria civile, secili prej tyre brenda kompetencës përkatëse”, – theksoi Hahn gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama.

Ai tha se procesi që kemi nisur sot është lajm i mirë për vendin, ai u përgjigjet aspiratave të qytetarëve për integrimin në BE dhe vendos udhëheqjen politike përpara përgjegjësisë së madhe për të dhënë rezultate.

“Ju siguroj se Komisioni do të vijojë dhe të mbështesë fuqimisht përpjekjet e bëra nga Shqipëria. Çdo gjë që bëni këtu, nuk ka të bëjë me faktin që duhet të kënaqni disa zyrtarë në Bruksel, por ka të bëjë me përmbushjen e interesave të qytetarëve tuaj. Pra ka të bëjë me shërbimin për çështje të ndryshme, ku perspektiva europiane mund të shërbejë për qytetarët, do të përmirësojë jetën e tyre”, tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.