Specialistët e AdZM Gjirokastër, gjithmonë pranë vizitorëve të natyrës

TIRANË,16 Korrik / ATSH / – Jo vetëm buzëqeshjet e të rinjve të “Smile Albania”, por edhe të rinjtë specialistë në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Gjirokastër, janë çdo ditë pranë turistëve që vizitojnë qarkun e tyre. ”Edhe ne sjellim buzëqeshjen tonë te vizitorët” thonë këta të rinj të palodhur në bisedë telefonike me gazetarët e ATSH-së.

Gjatë fundjavës, ata ishin në fushën e Çajupit, në Parkun Natyror “Zagori” dhe shoqëruan e ndihmuan një grup vizitorësh që vinin nga Austria. Kjo zonë së fundmi u shpall Park Natyror dhe është tepër i vizitueshëm.

Ky park natyror shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në jugun e vendit.  Zagoria ngjan brenda kësaj kurore malesh si një “perlë e rrallë natyrore”. Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin, mjaftueshëm për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.