Programi i “100 fshatrave”, instrument për investimin e të ardhurave nga emigrantët

TIRANË, 16 korrik/ATSH/- Programi Kombëtar i Rilindjes Rurale në funksion të “100 fshatrave” të përzgjedhur për t’u kthyer në destinacione të reja turistike do të shërbejë edhe si një instrument për kthimin e emigrantëve drejt vendlindjeve të tyre me investime që sjellin më shumë të ardhura për ta.

Kryeministri Edi Rama ripërsëriti sërish ftesën për emigrantët, për t’u rikthyer drejt Shqipërisë, pasi siç u shpreh ai, investimet në agroturizëm u japin atyre mundësi të fitojnë më tepër se sa ata po fitojnë sot në vendet ku punojnë.

“Ne besojmë shumë se turizmi dhe agroturizmi do të shërbejë si një mekanizëm tërheqës drejt fshatit falë bukurive natyrore, trashëgimisë kulturore e historive për të treguar. Po ashtu do të shërbejë si një instrument efikas e i papërdorur deri sot për daljen nga varfëria dhe kthimin e vëmendjes së emigrantëve ndaj vendlindjes me investime që sjellin të ardhura dhe krijimin e një efekti zinxhir që do të çlirojë energji, jo vetëm aty ku e prekim por edhe në të gjithë hapësirat rreth e rrotull”, – u shpreh Kryeministri.

Shqiptarët, shtoi ai, kanë treguar aftësinë për t’u adaptuar dhe ndjekur fillin e imagjinatës së tyre e duke iu referuar shembujve të suksesit nëpër botë. Ky, tha Rama, është edhe objektivi ynë, të krijojmë shembuj të prekshëm suksesi.

“Jam i bindur se ky program do të jetë programi i kthesës së rëndësishme të marrëdhënies së emigrantëve shqiptarë dhe fshatit të tyre, jo si nostalgji apo detyrim për të dërguar lekë çdo muaj për të ndihmuar familjarët, por si instrument fitimprurës që sjell më tepër të ardhura se sa fiton me punën e tij në emigracion”, – deklaroi Rama.

Kemi një hartë turistike, tha Rama, të shfrytëzuar në bregdet, në disa qytete me trashëgimi kulturore të fortë, të zhvilluar pjesërisht në pak pika të Shqipërisë malore, ndërkohë që kemi një hapësirë të pafundme me potenciale të jashtëzakonshme dhe tërësisht të pashfrytëzuara në të gjithë pjesën tjetër.

Rama shtoi se nuk është pasuria ajo që na mungon, por dija. “Kjo Akademi është një rrugë e re e dijes, që u vihet në dispozicion njerëzve e familjeve të zakonshme dhe që do të ndihmojë shumëkënd të mësojë jo vetëm si të bëjë më mirë aplikimet për të marrë financime për prodhimin bujqësor e blegtoral, si të transformojë shtëpinë në një bujtinë, apo si të ndërtojë një agroturizëm, por se si të shikojë të ardhmen aty ku është toka e prindërve”, – tha kreu i qeverisë.

/a.gjonaj//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.