Programi “100 fshatrat”, Peleshi: Fuqia e ndryshimit për zhvillimin rural

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ – “Jam shumë i kënaqur që në më pak se një vit, katër ministri dhe institucione akademike të linjës, bënë të mundur ngritjen në nivel kombëtar të një programi që ne besojmë se do të jetë një fuqi ndryshimi për hapësirën e madhe rurale shqiptare”.

Kështu u shpreh sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit për projektin e zhvillimit të “100 fshatrave” në ambientet e Kryeministrisë.

Nevojat dhe potencialet për zhvillimin rural, janë shumë të mëdha, por duhet edhe një qasje më e zgjuar për të adresuar nevojat e këtij sektori, tha Peleshi.

Sipas tij, në këto vite të shkuara nuk është bërë shumë për këtë sektor, por ne sot, kemi menduar për ta bërë zhvillimin rural në një realitet dhe jo slogan.

Duke u ndalur konkretisht në atë se çfarë do të realizojë ky projekt, ministri Peleshi vuri në dukje se, së pari do të bazohemi në eksperiencën e programit të Rilindjes Urbane i cili transformoi çdo qytet dhe qytezë të vendit në një zhvillim real.

“Besoj se ky model është ai që duhet të përsëritet edhe në zhvillimin e zonave rurale”, – theksoi Peleshi.

“Kemi zgjedhur “100 fshatrat”, që do të jenë modelet e para të një zhvillimi të ri. Nuk ka asnjë nga 61 bashkitë e vendit, që nuk ka një fshat të përfshirë në këtë projekt. Themelimi dhe bashkëpunimi me gjashtë universitete që lidhen me zhvillimin rural, është një instrument shumë i fortë krijimi, që vjen nga studentët dhe të rinjtë që janë faktorë të zhvillimit”, – deklaroi Peleshi.

Një marrëveshje dhe një projekt i ri për të kthyer në destinacion turistik “100 fshatra” të vendit është nënshkruar sot nga Kryeministri i vendit Edi Rama, ministri i Bujqësisë dhe Universiteti i Tiranës.

Projekti i quajtur “Akademia e 100 fshatrave”, pjesë e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale, është një rrjet bashkëpunimi mes qeverisë dhe botës universitare, që ka përzgjedhur “100 fshatra” për t’i kthyer në destinacione të reja turistike. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.