Nis ndërtimi i rrugëve “Migjeni” dhe “Kadri Roshi” në Njësinë Administrative Kashar

339

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ – Një investim i rëndësishëm ka nisur nga bashkia e Tiranës në zonën e Kasharit, që do të lehtësojë lëvizjen e mijëra banorëve të cilët jetojnë në këtë zonë shumë të populluar vitet e fundit.

Të favorizuara edhe nga koha e mirë, mjetet e Bashkisë po vijojnë punët me ritme të shpejta për ndërtimin e rrugëve “Migjeni” dhe “Kadri Roshi” në Njësinë Administrative Kashar.

Aktualisht po kryhen punimet nëntokësore, duke ndërtuar tërësisht nga e para një rrjet të ri ujësjellës-kanalizimesh i projektuar edhe për vitet e ardhshme, ndërkohë që puna po vazhdon dhe për nënshtresat.

Ndërtimi i kësaj rruge parashikon lëvizjen me disa korsi, si dhe pajisjen në të dyja anët e saj me trotuare për këmbësorët, sinjalistikë dhe ndriçim modern, si dhe gjelbërimin.

Tashmë mbetet vetëm çështje kohe deri në përfundimin e punimeve, duke bërë realitet një dëshirë të banorëve të kësaj zone, që tashmë do të kenë një rrugë me të gjitha standardet e nevojshme.  /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.