Akse kombëtare me standarde europiane

195

TIRANE, 14 korrik/ATSH/- Qeveria shqiptare është e vendosur që të ndërtojë akse kombëtare me standarde europiane.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tepelena se “ne nuk bëjmë inagurime dhe nuk i biem daulleve elektorale duke thënë se, ja e filluam edhe një rrugë, pastaj duke ikur nga sytë këmbët e duke lënë rrugët rrugëve”.

“Këtu tani fillon puna dhe puna nuk do të ndalet deri në përfundimin me standarde ndërkombëtare të kësaj nyje të rëndësishme të të gjithë zinxhirit të veprave me impakt strategjik në infrastrukturën tonë kombëtare”, tha Rama duke shtuar se “ne nuk do të lejojmë që paratë e taksapaguesve dhe energjitë e shpenzuara dhe koha kaq e gjatë e shpenzuar për të pasur një infrastrukturë dinjitoze, të shkojë dëm siç ka shkuar deri dje, vetëm ngarkojnë me borxhe të pamerituara qytetarët tanë”.

“Çdo cent që do të investohet, çdo qindarkë që do të investohet për rrugët tona kombëtare, për infrastrukturën tonë në tërësi, do të jetë një investim që do të kthehet në vlerë të shtuar për ekonominë, për shoqërinë, për familjet të cilat do të përfitojnë drejtë për drejtë, jo thjeshtë nga krijimi i një shtegu për të lëvizur,  por nga ndërtimi i një infrastrukture të standardeve europiane që do të thithë shumë më tepër turistë në vitet në vijim dhe do të krijojë një imazh shumë më pozitiv dhe plotësisht të merituar edhe pse për shumë e shumë vite të vonuar, për Shqipërinë që duam”, përfundoi kryeministri Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.