Rama: Progres me negociatat me Greqinë

TIRANË, 13 korrik/ATSH-Maela Marini/ – Në negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë është bërë mjaft progres.

Kjo u konfirmua nga Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp, në Bruksel, me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, ku iu përgjigjën interesimit të medias për çështjen e negociatave me Greqinë.

“Siç e shohin të gjithë është se në domenin publik ka tradhtarë në qeverinë greke dhe shqiptare. Për mua, nëse të dy palët tradhtojnë vendet e tyre, në fakt e vërteta është se të dy palët gjejnë zgjidhje në interesat më të mira të popujve të tyre dhe për strategjinë shumë të rëndësishme të fqinjësisë së mirë”, tha Rama.

Duke informuar mbi procesin, Rama tha se “ne kemi bërë mjaft progres”. “Ka çështje që mbulojnë 70 vite histori që nga ligji i luftës deri tek problematikat e përcaktimit të kufijve detarë. Këto janë çështje të vështira dhe ne po përballemi me to me frymën e hapjes dhe vullnetit për t’i zgjidhur”, tha Kryeministri.

Nuk kemi arritur akoma aty, vijoi Rama, por kemi bërë shumë progres. “Ajo që ne duam, është që të transformojmë këtë dinamikë në një dinamikë ndryshimi dramatik për të ardhmen dhe për të kaluar nga një histori që ka qenë gjithmonë pengesë, në politikën e brendshme. Këto hije të së kaluarës kanë dalë në sfond në historinë strategjike të Shqipërisë me Greqinë”, shtoi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen e plotë se kur rezultatet do të finalizohen dhe do të bëhen të qarta, kushdo që akuzon për tradhti në të dy palët do të turpërohet nga opinioni publik.

Ndërsa për Komisionerin Hahn, “në strategjinë e përbashkët që kemi nxjerrë në shkurt të këtij viti, BE e ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë shtet anëtar që ka ende konflikte të pazgjidhura me një prej vendeve fqinj”.

Kjo, sipas tij “ka përshpejtuar negociatat në disa vende. “Siç kemi parë, zgjidhja e çështjes së emrit midis Greqisë dhe Maqdonisë është një shembull. Më parë ka pasur një marrëveshje midis Maqedonisë dhe Bullgarisë për të pasur marrëdhënie të fqinjësisë së  mirë, madje kemi parë edhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm në Kosovë për zgjidhjen e çështjes me Malin e Zi”, tha Hahn.

Në të njëjtën frymë, shtoi ai, Shqipëria është në negociata me Greqinë. “Kjo është diçka që duhet bërë në nivel bilateral dhe ndodh në këtë nivel bilateral pa pasur nevojë për ndërmjetësim nga ana jonë. Kështu që preferoj të mos bëj ndonjë koment tjetër. Më vjen keq që ka pasur keqkuptime, sepse kjo ka pasur të bëjë me sqarim me vijën kufitare, asgjë më shumë, asgjë më pak. Dhe kjo nuk është ndonjë çështje e madhe. Unë jam i bindur se pas nja dy javësh, gjithçka do të bëhet, mund të bëhet”, theksoi Hahn.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.