Ndahet nga jeta poeti i ekranit Ilia Terpini në moshën 82-vjeçare

TIRANË,13 korrik /ATSH/ – Ilia Terpini, një nga personazhet e rëndësishëm të historisë se kamerës e fotografisë shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare,në Paris.

Lajmin e trishtë e ka dhënë përmes një statusi në Facebook, bashkëpunëtori i tij Kujtim Gjonaj. Kineasti i mirënjohur është një nga personazhet e rëndësishëm të historisë se kamerës e fotografisë shqiptare.

Humbja e tij është një humbje për artin e kinemasë që humbi një nga përfaqësuesi më të denjë të një brezi që i dha aq shumë kulturës sidomos para viteve 90-të. Terpini lindi në një mjedis artistësh në Hocishte të Koracës dhe gjithçka do të ndryshonte në jetën e tij kur i ra në dorë një aparat.

“Ishte një italian që ma dhuroi. Ky ishte shkaku që mua më hyri në gjak fotografia dhe paralel me këtë fillova pak me vizatimin”,do të shprehej ai kohë më parë. Terpini ishte pasionanti i palodhur që e shihje në çdo ngjarje artistike në kryeqytet.

Për të nuk pati asnjëherë shlodhje për shkak të moshës, pasi ai jetoi gjithmonë në punë si i ri. Kamera e tij ka realizuar prodhimet kinematografike më të suksesshme para viteve 90-të si filmin “Dimri i fundit”, “Ballë për ballë”, “I teti në bronx”, “Mësonjtorja” apo “Flutura në kabinën time” .

Kritika e quajte gjithnjë si poetin e ekranit për mënyrën sesi kamera e tij arrinte të fokusonte detajet./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.