Pyjet e vjetër të ahut europian të ruajtura që nga koha e akullnajave

TIRANË, 12 korrik/ATSH-N.Lena/ – Një sipërfaqe e vogël (rreth 250 ha) me pyje të vjetër ahu gjenden mbi fshatin Murriz dhe Guri i Bardhë, në Xibër, bashkia Klos, në anën veriore të Malit me Gropa.

Grumbulli pyjor ka një moshë rreth 200-vjeçare, diametër 55 cm dhe lartësi 28 m.
Grumbulli shtrihet në një lartësi që varion nga 1300-1700 metra mbi nivelin e detit.

Përveç disa shqetësimeve (prerje drurësh të viteve më parë), grumbulli paraqitet në gjendje mjaft të mirë fito-sanitare, thotë inxhinieri i pyjeve, Abdulla Diku.

Ka mjaft rëndësi ruajtja e pyjeve të tilla, pasi pothuajse tashmë janë zhdukur nga trojet tona.

Biologu Abdulla Diku, i pyetur se përse janë të rëndësishme pyjet e vjetër të ahut, përgjigjet: ”Ahu europian është i përhapur vetëm në Europë dhe mund të mbizotërojë pyjet pothuajse apo tërësisht, ashtu si asnjë specie tjetër drunore në Europë apo në botë. Ahu është zhvendosur gjatë periudhës së akullnajave në skajet më jugore të kontinentit dhe u rikthye sërish në zonat e tij natyrore. Ka aftësi të madhe përshtatëse dhe toleruese në kushte të ndryshme klimatike, gjeografike dhe fizike”, – thotë specialisti i pyjeve.

Kjo është një arsye më tepër që specialistët e mjedisit shqetësohen kur hasin fenomenin e dëmtimit të pyjeve, kryesisht të atyre me dru të rrallë për florën tonë.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.