Konferenca në Uashington, Basha: NATO forcon paqen në rajon

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në konferencën me temë “Marrëdhënia transatlantike në kryqëzim: Pritshmëritë nga Samiti i NATO-s”. Konferenca u organizua nga Instituti Hudson me qendër në Washington DC, në bashkëpunim me Martens Center, fondacion i Partisë Popullore Europiane.

Në të njëjtin panel me kryetarin Basha ishte i ftuar edhe Arnaud Danjen eurodeputet, nënkryetar i Komisionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me NATO-n, si dhe Peter Doran, ekspert me reputacion i çështjeve të sigurisë dhë Europës.

Diskutimi në Institutin Hudson, një ndër më të njohurit në botë për hartimin e politikave publike dhe të sigurisë, u ndoq nga të pranishëm të shumtë si anëtarë të Kongresit Amerikan, punonjës të administratës amerikane, drejtues institutesh dhe ndjekës të politikës së sigurisë.

Në panel u diskutua kontributi i vendeve për aleancën, terrorizmin, emigracionin, kundërpërgjigjja ndaj Rusisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari Basha ndau me të pranishmit nevojën e rritjes së rolit të NATO-s në rajonin e Ballkanit.

“NATO është e domosdoshme për të mbrojtur demokracitë nga kërcënimet joushtarake si terrorizmi, korrupsioni, krimi i organizuar, rrjetet ndërkombëtare kriminale, pastrimi i parave, si dhe fushatat propagandistike dhe dezinformuese”, ishte një nga pikat e parashtruara nga kryetari i Partisë Demokratike.

Po ashtu, Basha tha se “pozicioni unik në Ballkan, me Shqipërinë dhe Malin e Zi anëtare, me Maqedonë anëtare së shpejti dhe me Kosovën plotësisht të angazhuar, i jep NATO-s të gjitha mjetet për të adresuar të gjitha kërcënimet që vijnë nga ky rajon që në burim, në veçanti konfliktet etnike, ekstremizmi fetar, rrjetet e krimit të organizuar, kapjen e shtetit”.

NATO, përfundoi kreu i PD-së, mbetet mekanizmi kryesor për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Çdo boshllëk i krijuar do të mbushet nga forca jo aq miqësore dhe liderë jo aq demokratikë, që nuk kërkojnë stabilitet, vlera demokratike dhe paqe në vende të tjera. Forca të tilla mund të jenë aktorë shtetërorë, organizata kriminale ose rrjete terroriste. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.