Botanistë të huaj dhe shqiptarë eksplorojnë zonën e Karaburunit

TIRANË, 12 korrik/ATSH/ – Prej gati 1 muaji një grup botanistësh shqiptarë dhe italianë, në bashkëpunim me AdZM Vlorë dhe me mbështetjen e projektit “Natural”, po studjojnë florën e kompleksit natyror Karaburun-Llogara-Mali i Çikës.

Në qendër të studimit janë speciet e veçanta, sidomos ato endemike dhe subendemike. Gjithashtu, po bëhet një studim i plotë për bimësinë barishtore (lulet).

Ata kanë udhëtuar nga Italia dhe Franca për t’u njohur nga afër me pasuritë natyrore të Shqipërisë, kryesisht të Karaburunit, Llogarasë e Malit të Çikës.

Bashkë me botanistët shqiptarë, botanistët e huaj po identifikojnë si zona potenciale dhe me interes ndërkombëtar, për t’i bërë pjesë të rrjetit Natyra 2000.

“Qëllimi është ruajtja dhe identifikimi i këtyre resurseve që ofron kjo zonë”, shprehet Nexhip Hysolakoj, agjencia rajonale e zonave të mbrojtura Vlorë.

Natyra 2000 është një projekt i Bashkimit Europian, që përfshin mbrojtjen e hapësirave tokësore dhe ujore, me specie dhe habitate më të vyera dhe të rrezikuara.

Botanistët e huaj, të mrekulluar pas pasurive natyrore që ofron vendi ynë, kanë nisur kërkimet shkencore jo vetëm të bimësisë së rrallë, por edhe për speciet në zhdukje të kësaj zone.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.