“10 mijë buzëqeshje” për turistët e huaj të kroçerës “Gemini” në Durrës

373

TIRANE, 12 korrik /ATSH/ – Turistët e huaj që mbërritën në portin më të madh të vendit u pritën nga instalacioni “10 mijë buzëqeshje” i realizuar në kuadër të projektit “Smile Albania”, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Një pjesë e tyre u njohën me fletëpalosje dhe guida turistike, teksa niseshin për vizita drejt qyteteve historike të vendit tonë. Një projekt që ju la një ndjesi mjaft të këndshme turistëve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vizituan kroçerën “Gemini”, me të cilën mbërritën në port 699 turistë nga Turqia.

Klosi dhe Dako u pritën nga Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, i cili i njohu me disa nga ndryshimet pozitive në kalatën 5, ku ankorohen anijet e mëdha turistike.

Ministri Klosi vlerësoi përgatitjet në kuadër të projektit “Smile Albania”, një instalacion i të cilit është realizuar edhe në hyrje të terminalit perëndimor.

Në mjediset e kroçerës “Gemini”, ministri Klosi dhe kryebashkiaku Dako u pritën nga kapiteni dhe drejtues të anijes, që vlerësuan veçanërisht mikpritjen në portin më të madh të vendit tonë.

Klosi u njoh me itineraret e anijes turistike, duke kërkuar më shumë lundrime drejt porteve të vendit tonë. Ai shtoi se sitet turistike në disa nga qytetet historike po vizitohen nga mijëra turistë të huaj. /e.malaj//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.