Kujdesi për fëmijët gjatë temperaturave të larta

Fun at the beach

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ – Në ditët e nxehta të verës, kujdesi ndaj fëmijëve duhet të jetë maksimal, për të evituar pasojat që mund të shkaktohen nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta.

Ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj diellit nuk rekomandohet për foshnjat nën 6 muaj dhe për fëmijët më të rritur nevojitet përdorimi i kremrave mbrojtës me faktor 30+, përdorimi i kapelave dhe veshjeve të pambukta dhe me ngjyra të lehta, me qëllim mbrojtjen e lëkurës nga rrezet ultraviolet.

Duhen shmangur udhëtimet me fëmijë të vegjël gjatë orëve kur temperaturat janë të larta apo vijnë në rritje dhe nëse është e nevojshme, lëvizjet duhen kryer në orët e para të mëngjesit. Orët më të nxehta  të ditës konsiderohen midis 11:00-17:00, orë gjatë të cilave rekomandohet qëndrimi në ambiente të freskëta me temperaturë 25-27 °C.

Po ashtu, rekomandohet konsumimi i vakteve të vogla dhe të shpeshta, përdorimi i frutave dhe perimeve të freskëta ose në formën e lëngjeve të shtrydhura, por për fëmmijët nën 6 muaj ushqyerja me gji është e domosdoshme.

Banjat e herë pas hershme apo vaskat me ujë të vakët, ku fëmija mund të luajë dhe të freskohet, janë ideale për të shmangur të nxehtin dhe në pamundësi të tyre këshillohet t’i freskoni here pas here me peshqirë të lagur.

Kujdes: Kurrë mos i lini vetëm fëmijët në makinën e parkuar, për asnjë lloj arsyeje. /e.malaj//m.m/

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.