FRANCË – Parisi mirëpret rreth 3 500 vende pune pas Brexit

PARIS, 11 korrik /ATSH-AFP/ – Më shumë se 3 500 vende pune direkte pritet tashmë të zhvendosen apo të hapen në qendrën financiare të Parisit për shkak të Brexit, njoftoi sot Paris Europlace, shoqata përgjegjëse për promovimin e tregut parizien.

‘’Kjo shifër, e cila bazohet tek njoftimet që janë bërë tashmë nga grupe bankare, sigurimet dhe menaxhimi i aseteve është dukshëm më e lartë se punësimet e drejtpërdrejta që do të zhvendosen në qendra të tjera financiare në Europë’’, u shpreh Gérard Mestrallet, president i ‘’Paris Europlace’’, në hapje të forumit të përvitshëm dy ditor të shoqatës.

Në mesin e njoftimeve të fundit, media britanike i ka bërë jehonë projekteve gjigande menaxhuese të aseteve amerikane ‘’ Blackrock’’ dhe të bankës amerikane ‘’ Citigroup’’ në forcimin e veprimtarive të tyre në Paris, gati nëntë muaj nga dalja efektive e Britanisë së Madhe jashtë Bashkimit Europian.

Duke përllogaritur punësimet indirekte të krijuara nga të gjitha zhvendosjet apo krijimi i vendeve të premtuara të punës, ‘’Paris Europlace’’ shpreson të shohë qendrën financiare të Parisit të përfitojë më shumë se 20 000 vende pune.

‘’Kemi shënuar më shumë arritje në dy vitet e fundit në Paris, sesa gjatë trembëdhjetë viteve të mëparshme. Progreset e shënuara gjatë dy viteve të fundit kanë qenë vërtetë të jashtëzakonshme dhe e pozicionojnë Parisin në nivelin më të mirë të konkurueshmërisë’’, theksoi Mestrallet, duke cituar ndër të tjera përjashtimin nga tatimi i pasurisë për asetet financiare, taksën e sheshtë mbi të ardhurat kapitale ose reformën e tregut të punës./

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.