Rifillojnë gërmimet arkeologjike në Amfiteatrin Romak të Durrësit

548

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ – Kanë rinisur gërmimet arkeologjike në Amfiteatrin Romak të Durrësit, të zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se “projekti synon rifillimin e gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin, e ndërtuar në fund të shekullit 1 pas Krishtit, rilevim të strukturave të gjetura si dhe dokumentimin dhe konsolidimin e tyre”.

Sipas IMK-së, pjesë e gërmimeve do të jenë edhe studentë shqiptarë dhe studentë italianë nga Universiteti “G. D’Annunzio”, Chieti-Pescara.

Rinisjen e gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin Romak të Durrësit e ndoqën nga afër përfaqësues nga Instituti i Monumeteve të Kulturës së bashku me drejtoreshën e Misionit Arkeologjik Italian, Sonia Antonelli, drejtoreshën e projektit për palën shqiptare, Elvana Metalla, drejtorin e DRKK – Durrës, Patriot Beqaraj.

Misioni Arkeologjik Italian ka nisur punën e tij në qytetin e Durrësit që prej vitit 2001, me qëllim realizimin e hartës së rrezikut arkeologjik, si dhe evidentimin e aktivitetit të gërmimit dhe projektimit të vlerësimit të monumenteve urbane, veçanërisht të amfiteatrit romak.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Nga të dhënat e deritanishme mendohet se amfiteatri mirëpriste mbi 15 mijë spektatorë njëherësh.

Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.

Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.