LONDËR – Samit BE-Ballkan për riforcimin e bashkëpunimit

LONDËR, 10 korrik /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e disa vendeve të Bashkimit Europian dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në një samit për të rritur bashkëpunimin e tyre ekonomik dhe për sigurinë.

“Historia na ka mësuar se një rajon i qëndrueshëm dhe i sigurt i Ballkanit Perëndimor mundëson një Europë më të qëndrueshme dhe të sigurt”, deklaroi kryeministrja britanike, Theresa May në një komunikatë.

“Ne do të largohemi nga BE marsin e ardhshëm, por mbetemi plotësisht të angazhuar në përmirësimin e prosperitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe Europës, sot dhe në vitet që do të vijnë”, shtoi ajo.

May do të zhvillojë një konferencë shtypi në përfundim të samitit, në orën 16:20 GMT, përkrah kancelares gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki.

Samiti i Londrës është i pesti i këtij lloji dhe është pjesë e Procesit të Berlinit, një iniciativë e ndërmarrë në vitin 2014 për inkurajimin e reformave dhe zhvillimin në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë përfshirë të gjithë në një procedurë në kuadër të anëtarësimit në BE.

Ai grupon disa vende të BE-së si Gjermania, Austria, Franca, Kroacia, Italia, Polonia, Britania e Madhe dhe Sllovenia si dhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

Samiti u hap dje me një takim të ministrave të Punëve të Jashtme, në mungesë të britanikut Boris Johnson, i cili dha dorëheqjen për shkak të mosmarrëveshjeve me May për zbatimin e Brexit.

Theresa May njoftoi dyfishimin e ndihmës financiare britanike për vendet e Ballkanit Perëndimor për riforcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe terrorizmit në rajon

Kjo ndihmë do të arrijë nga 41 milionë stërlina (46,4 milionë euro) në 2018-2019 në 80 milionë stërlina (90,4 milionë euro) në 2020-21.

Në fund të qershorit, Bashkimi Europian ra dakord për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në verë të vitit 2019./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.