”Festivali MultiKulturor Berat”, një mozaik vlerash mes folklorit dhe gjurmëve historike

346

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ –  Për të pestin vit rradhazi, nën ritmet e muzikës folklorike dhe gjurmëve të hershme të historisë, ”Festivali MultiKulturor Berat” do të trokasë në dyert e çdo beratasi në mesin e muajit korrik.

Berati qyteti i një mbi një dritareve të jep realisht 1001 arsye për të qënë aty pasi prania e objekteve të cilat i përkasin kulturave shumë të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, tek mesjeta bizantine, te komplekset otomane dhe deri te rrënojat e lëna pas nga koha e komunizmit shfaqin interes të madh nga turistë të huaj dhe vendas.

Festivali do të zhvillohet në mjediset e Muzeut Etnografik në datat 19, 20 dhe 21 korrik, si një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën e rrallë shqiptare, për ta përmbyllur me një mbrëmje atmosferike, nën tingujt e muzikës së Shpat Dedës.

Në këtë edicion të pestë gjithçka fillon me komunikimin për shtyp të Festivalit MultiKulturor Berat në mjediset e Muzeut Etnografik, që përkon edhe me anuncimin për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga shteti austriak, me praninë e kreut të misionit diplomatik të Austrisë në Shqipëri, si bashkëudhëtarë të Festivalit MultiKulturor Berat.

Më pas do të vijohet me një performancë artistike nga një bend muzikantësh austriakë. Ndërsa në mbrëmje, do të vijohet me inskenimin me muzikë dhe rituale prej dasme shqiptare, për të vazhduar në shesh me Pleqtë e Krujës dhe Asamblin Popullor të Beratit.

Mbrëmja e dytë kushtuar mërgimit, vjen emocionuese nga grupi i Himarës dhe nga ai i Gjirokastrës, për të vazhduar me grupin e Fierit në përmbyllje të mbrëmjes.

Në përmbyllje, është nata e “atdheut” me muzikën baritore të Fyejve të Gramshit dhe iso polifonike nga grupi i Gjirokastrës.

Në një mbrëmje në oborrin e Teqesë Helvetive, nën tingujt e muzikës së përzgjedhur të Shpat Dedës, ky edicion i V-të, do të mbyllë harmonikisht siparin e aktiviteteve, për të rinovuar takimin me publikun për vitin e ardhshëm./a.a//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.