TURQI – Erdogan fillon mandatin e ri me pushtete të riforcuara

ANKARA, 9 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan fillon sot mandatin e ri pesë vjeçar me pushtete të zgjeruara, në një sistem të ri të denoncuar si autokratik nga kundërshtarët e tij, dy vjet pas një grushti shteti.

Në pushtet që prej vitit 2003, fillimisht si kryeministër dhe më pas president, Erdogan, 64 vjeç, u rizgjodh më 24 qershor duke fituar zgjedhjet presidenciale që prej turit të parë me 52,6% të votave.

Ai do të bëjë sot betimin në orën 13:00 GMT dhe më pas do të drejtojë një ceremoni në pallatin presidencial duke inauguruar një epokë të re në historinë moderne të Turqisë me kalimin në sistemin presidencial, pas një rishikimi kushtetues të miratuar me referendum në prill të vitit 2017.

Ardhja e tij në këtë hiperpresidencë ndodhi dy vjet pas një përpjekjeje për grusht shteti, më 15 korrik 2016.

Vala e fundit e dënimeve, njoftuar dje, ka prekur më shumë se 18 000 persona, pjesa më e madhe ushtarë dhe policë, të cilët janë shkarkuar nga një dekretligj.

Erdogan do të ketë tashmë mbështetjen institucionale dhe ligjore për të kontrolluar pothuajse gjithçka në kuadër të sistemit të ri”, theksoi Ayse Ayata, profesore e Shkencave politike në Universitetin teknik të Lindjes së Mesme (OdtU) në Ankara./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.