TIRANË, 9 korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar shtyrjen e ligjit për magjistratët e rinj, që kërkon 84 vota.
Balla u shpreh se kjo kërkesë vjen për shkak të mungesës së opozitës në seancë, asaj opozite që dy vite më parë e votoi me konsensus reformën në drejtësi, pjesë e së cilës është dhe ky pr/ligj, që i mundëson ekselentëve në Juridik të vijojnë kursin e magjistraturës.
“Ky pr/ligj që vjen sot, ka si qëllim që t’i mundësojë juristëve të rinj të regjistrohen në kursin e magjistraturës. Flasim për ekselentët e fushës. Dua të them se mungesa e opozitës është e pashpjegueshme, pasi dy vite më parë, ky pr/ligj u votua nga 140 deputetë dhe nuk kishte asnjë kundërshti. I ftoj kolegët e LSI, por dhe ata të Partisë Demokratike të bëhen pjesë e votimit në kuadër dhe të frymës së bashkëpunimit që karakterizoi votimin e paketës së ligjeve të reformës në drejtësi të dy viteve më parë”, – tha Balla.
Sipas votimit të dy viteve më parë, vijoi ai, “na u dha kohë dy vite për të përgatitur këtë bazë ligjore, tashmë disa javë përpara se ky afat të mbyllet, do ishte e udhës të votonim këtë pr/ligj të gjithë së bashku. Duke parë që ky pr/ligj kërkon 84 vota dhe opozita sot nuk është e pranishme, kërkoj shtyrjen e diskutimeve dhe votimit për këtë pr/ligj në seancën e radhës, datë 19 korrik”, – tha Balla. /m.m/