Parku Kombëtar i Divjakës, destinacion turistik gjithnjë e më i vizituar

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155943274531523/

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ – Parku Kombëtar i Divjakës është transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më i vizituar nga shqiptarë e të huaj.

Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama shpërndau një video me pamje nga parku i rilindur i Divjakës.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje magjepsëse të Parkut të rilindur Kombëtar të Divjakës, tanimë i transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më të vizituar nga shqiptarë e të huaj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 km nga kryeqyteti i Tiranës, 60 km nga Durrësi qyteti-port më i madh, dhe 80 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i vetëm në Shqipëri. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.