Pacolli në Londër: Koha për marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë

PRISHTINË, 9 Korrik/ATSH/- Dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka sjellë progres dhe rezultate pozitive, por është koha që të flasim për marrëveshje përfundimtare, e cila do të jetë në të mirë të të dyja vendeve, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, në sesionin e Samitit të Londrës, që është pjesë e “Procesit të Berlinit”.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, kryediplomati kosovar ka prezantuar prioritetet dhe  arritjet e qeverisë së Kosovës, ndërsa vlerësoi kontributin që ka dhënë iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e njohur tashmë si “Procesi i Berlinit” në përshpejtimin e krijimit të kushteve infrastrukturore për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimit konstruktiv mes vendeve të rajonit.

Gjatë pjesës fillestare të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm Pacolli mori pjesë në panelin diskutues me shoqërinë civile, gjatë të cilit është diskutuar lidhur me përmirësimin e perspektivës së rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Samitit të Londrës, numri dy i qeverisë ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të niveleve të larta nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje./KosovaPress/k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.