LONDËR – Jep dorëheqjen ministri i Brex-it, David Davis

LONDËR, 9 korrik /ATSH-AFP/ – Ministri britanik i ngarkuar me Brexit, David Davis dha dje dorëheqjen, dy ditë pasi kryeministrja, Theresa May kishte marrë dakordësinë e qeverisë për të propozuar mbajtjen e një marrëdhënieje tregtare të ngushtë post-Brexit me BE-në, njoftuan BBC dhe agjencia e Lajmeve PA.

“Kjo dorëheqje u pasua nga ajo e sekretarit të Shtetit për Brexit, Steve Baker”, sipas medias britanike.

“Davis, një euroskeptik i emëruar prej dy vitesh për të drejtuar një ministri të krijuar pas votimit të britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian, kishte kërcënuar disa herë këto muajt e fund me dorëheqje nga funksionet e tij, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministren, May”, sipas medias britanike.

Deputeti konservator, Peter Bone theksoi se ai kishte bërë gjënë e duhur duke shtuar se propozimet e May-t nuk ishin të pranueshme./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.