Deri më 15 korrik aplikimi për financimin e bujtinave agroturistike

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ – Sipërmarrësit dhe fermerët duhet të aplikojnë deri më datën 15 korrik 2018, për të përfituar financim në masën 50% të vlerës së investimit në agroturizëm dhe bujtina.

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, tha sot gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend se qeveria ka rihapur thirrjet për aplikime, me synim mbështetjen e projekteve që nxisin zhvillimin rural dhe agroturizmin.

Peleshi bëri apel për të aplikuar me projekte të zhvillimit për bujtina dhe për hotele të vogla sipas standardeve të përcaktuara në programin e zhvillimit të agroturizmit, ku qeveria do të mbështesë financiarisht, qoftë familjet që duan t’i kthejnë shtëpitë në bujtina, qoftë ata që duan të investojnë si investitorë në ndërtimin e strukturave të agroturizmit.

Detaje të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në sektorin e agroturizmit

Sipas Vendimit të qeverisë:

MASA MBËSHTETËSE NR. 44 jep mbështetje për ngritjen apo rikontruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural (bujtina) me kapacitet nga 4 deri 10 dhoma në 50% të investimit, me masë financimi deri në një milion e pesëqind mijë lekë.

MASA MBËSHTETËSE NR. 45 jep mbështetje për ndërtim apo rikonstruksion strukturash agroturistike deri në 50% të investimit, me masë financimi deri në dhjetë milion lekë.

Nëpërmjet kësaj skeme është vënë në dispozicion një buxhet prej 122 milionë lekësh për Masën 45, ku parashikohen minimumi 12 aplikime fituese, të cilat do të rezultojnë në investime agroturizmi serioze në zonat rurale. Gjithashtu, një buxhet prej 32 milionë lekësh është alokuar për Masën 44, ku parashikohet ngritja ose rikonstruksioni i minimumi 22 bujtinave.

Skema ka për qëllim të mbështesë aktivitete agroturizmi, të cilat demonstrojnë më së miri një qasje origjinale të identitetit të zonës, duke respektuar arkitekturën dhe estetikën si dhe pasqyrimin e aktiviteteve mbështetëse që ndikojnë në rivitalizimin e fshatit dhe të kthehen në një arsye për të rritur numrin e vizitorëve. Synohet zhvillimi rural duke shfrytëzuar burimet natyrore dhe bukuritë që ofron vendi me potencial të lartë për të
gjeneruar një ekonomi lokale të konsoliduar dhe të qëndrueshme.

Projektet fituese janë ato investime që kryejnë veprimtari mikpritëse, që zhvillohen në një fermë bujqësore, apo në një veprimtari tjetër agrokulturore, me qëllim tërheqjen e
vizitorit ndaj cilësisë së prodhimeve dhe përpunimeve autentike të fermës, ushqimit, arkitekturës dhe karakteristikat specifike të zonës.

Përfituesit potencialë të kësaj skeme janë fermerë, persona fizikë ose juridikë të cilët duhet të paraqesin pranë AZHBR, dosje fizike me dokumentacionin përkatës.

Projektet duhet të përfshijnë:

Pjesën konstruktive, arkitekturore të shoqëruar me një relacion teknik nga arkitekti; një planbiznesi të qenësishëm 5-vjeçar; të përmbushin standardet e akomodimit dhe mbrojtjes mjedisore si dhe sigurinë ushqimore; të ketë përmbushur detyrimet tatimore për personat fizikë dhe juridikë.

Ndërsa për aplikuesit fermerë të kenë shlyer sigurimet shoqërore. Në përfundim të investimit subjektet fituese duhet të sigurojnë certifikatën e agroturizmit, sipas VKM për agroturizmin. /e.xh//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.