AFGANISTAN – Pompeo mbërrin në Kabul në një vizitë të panjoftuar

KABUL, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mbërriti sot në Kabul në një vizitë të panjoftuar, njoftoi presidenca afgane.

Pompeo u takua me presidentin, Ashraf Ghani dhe diskutoi për armëpushimin treditor të kohëve të fundit mes forcave qeveritare dhe luftëtarëve talebanë.

“Mes të tjerash, në fokus ishin gjithashtu strategjia e Donald Trump për rajonin dhe siguria për zgjedhjet parlamentare dhe të këshillave të provincave në tetor”, sipas një njoftimi në “Twitter” të bërë nga presidenca.

Kjo është vizita e parë e bërë nga Pompeo që prej ardhjes në prill në krye të Departamentit të Shtetit.

SHBA-ja deri tani ka nxitur luftëtarët talebanë dhe qeverinë që të zhvillojnë bisedime për paqe, por procesi nuk ka qenë i suksesshëm pasi talebanët kanë mohuar përpjekejt për t’u ulur në një tavolinë.

Rreth 14,5% e territorit të Afganistanit kontrollohet nga talebanët ndërkohë që rreth 30% është i kontestuar.

Rreth 14 000 ushtarë amerikanë ndodhen në Afganistan nën misionin e NATO-s, “Resolute Support”, për të stërvitur, këshilluar dhe asistuar, ndërkohë që zhvillojnë gjithashtu operacione kundër terrorizmit kundër grupeve si Al Kaeda dhe Shteti Islamik. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.