BULLGARI – Li Keqiang: Bashkëpunimi ‘’16+1’’ përputhet me interesat e Europës

183

SOFJE, 8 korrik /ATSH/ – Kryeministri i Kinës, Li Keqiang mori pjesë të shtunën paradite në Forumin e 8-të Ekonomiko-Tregtar Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore (EQL) të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, sipas CRI-së.

Në fjalën e tij në këtë forum ai tha se bashkëpunimi “16+1” është një pjesë e rëndësishme përbërëse dhe plotësuese e bashkëpunimit kino-europian dhe përputhet me interesat e përgjithshme e Europës.

Li Keqiang vuri në dukje se kohët e fundit janë shfaqur zëra dyshues se bashkëpunimi 16+1 është një mjet gjeopolitik dhe se ai mund të përçajë Europën, gjë që është një keqkuptim i plotë. Bashkëpunimi “16+1” është jo vetëm në favor të nxitjes së zhvillimit të Kinës dhe të vendeve të EQL-së, por edhe të ngushtimit të hendekut midis vendeve të BE-së dhe të realizimit të zhvillimit të balancuar dhe real, duke nxitur më tej procesin e integrimit.

Kina nuk e mendon bashkëpunimin “16+1” si një mjet gjeopolitik, por mbështet integrimin europian, vuri në dukje kryeministri kinez. Ai shtoi se BE-ja është një forcë e rëndësishme e mbrojtjes së paqes dhe të stabilitetit të botës dhe është partnerja më e madh ekonomiko-tregtare e Kinës. Një Europë e bashkuar, e stabilizuar dhe e lulëzuar dhe një euro e fuqishme përputhen me interesat thelbësore të palës kineze.

Kryeministri Li Keqiang theksoi gjithashtu se bashkëpunimi “16+1” përqendrohet gjithmonë në parimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rregullat e OBT-së, dhe në përputhje me kornizën ligjore të BE-së. Ky bashkëpunim vë theksin në parimet e konsultimeve të përbashkëta, ndërtimit të përbashkët dhe ndarjes së përbashkët të rezultateve.

Ai kërkon gjithmonë nga kompanitë që janë pjesë e tregut europian të respektojnë rregullat dhe parimet e tregut, duke mos përjashtuar asnjëherë të tjerët duke qenë një platformë transparente, publike, e hapur dhe bashkëpunuese. Praktikat vërtetojnë se bashkëpunimi “16+1” jo vetëm u ka shtuar vitalitet të ri marrëdhënieve kino-europiane, por edhe është kthyer në një faktor të ri për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.