Aeroporti i Vlorës, me impakt të madh ekonomik e social

TIRANË, 8 korrik/ATSH-Maela Marini/ – “E gjithë infrastruktura e transformuar nuk i thotë të gjitha dhe është e paplotë në impaktin e madh ekonomik dhe social mbi Vlorën nëse nuk llogarisim edhe aeroportin e Vlorës”.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot ndërtimin e aeroportit “një investim masiv në funksion të zhvillimit të ekonomisë përmes turizmit dhe jo vetëm”.

“Studimet dhe shifrat e lëvizjeve të njerëzve e tregojnë këtë impakt, dhe këtu kam parasysh shqiptarët që udhëtojnë për në Greqi dhe Itali”, tha Rama.

Ai do të jetë aeroporti i jugut të vendit, tha Kryeministri. Sipas Ramës, ai do të garantojë një fluks të madh qytetarësh dhe lëvizje nga Vlora me çmime të arsyeshme dhe në kohë më të shpejtë.

“Aeroporti do të jetë vlerë e shtuar nga pikëpamja sociale por edhe e fluksit të turistëve që do të sjellë. Po ashtu do të sjellë një fluks të ri investimesh sa i përket hoteleve, biznesit dhe gjithë zhvillimeve që hap perspektiva e një aeroporti të ri”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.