Sinjalistika rrugore, akset ku do të ndërhyjë ARRSH

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ – Segmentet rrugore Ura-Fierzë- Bajram Curri, Balldren-Bushat, Laç-Patok dhe Koplik-Qafë-Thore, janë akset kryesore ku Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) planifikon të ndërhyjë në përmirësimin e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale.

Me një fond prej 208 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ARRSH ka hapur procedurat e prokurimit për projektin e sinjalistikës rrugore, punimet e së cilës pritet të zgjatin për një periudhë 8-mujore.

Ndërkohë që, kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri në datën 6 gusht. Referuar specifikimeve teknike të vendosura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar saktësohet se të gjitha materialet që do të përdoren për përmirësimin e sinjalistikës duhet të jenë të klasit të parë.

Projekti për përmirësimin e sinjalistës rrugore do të zhvillohet paralelisht me projektin e rëndësishëm për mirëmbajtjen e rrugëve, i cili ka nisur në fillim të muajit qershor në autostradën Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë, për të vijuar me 12 akse të tjera rrugore me shtrirje nga jugu e deri në veri të vendit. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.